Këtë të premte u mbajt protesta e 83-të në Tiranë, e organizuar nga aktivistë dhe qytetarë.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Marshimi përfundoi përpara godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit vijuan me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Aktivisti Andi Tepelena u bëri thirrje kryebashkiakëve dhe qytetarëve të bashkive që preken nga reforma territoriale, që të dalin në shesh kundër Edi Ramës. Duke folur nga sheshi, ai theksoi se janë ende në kohë për të shpëtuar bashkitë e tyre, nëse iu bashkohen protestuesve që kërkojnë largimin e kryeministrit.

“Ju bëj thirrje kryetarëve të bashkive që i prek reforma. Janë 15 bashki që priten të shkrihen. Në vitin 2014, fundin që patën disa bashki, si ajo e Fushë-Krujës, e Sukthit, që janë të shpopulluara. Thirrja ime është që kryetarët t’u bashkohen sheshit dhe protestuesve. Keni një detyrim ndaj qytetarëve që ju kanë mbështetur dhe ndaj vendlindjes së tyre. Përpara se të kenë të njëjtin fat që kanë pasur bashkitë e tjera në 2014, janë në kohë t’i bashkohen revoltës dhe të bashkojnë bashkitë e tyre. Të bashkohen edhe qytetarët”, tha ai.

Protestuesit mbanin në duar edhe pankarta me mesazhe kundër kryeministrit Edi Rama. “Rama out”, thuhej në një prej tyre, duke kërkuar largimin e kryeministrit.

Në një tjetër pankartë shkruhej “Dorëheqja ka emër”. 

Më pas, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke brohoritur njëzëri: “Dorëheqje!”

Pjesë e kërkesave të tyre janë edhe rrëzimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie teknike.