Mbi 100 ish-diplomatë britanikë dhe francezë kanë bërë thirrje për veprime kundër asaj që e përshkruajnë si përpjekje të Izraelit për “të fshirë” Palestinën.
Në një letër drejtuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Andy Burnham, 52 ish-diplomatë francezë dhe 50 ish-ambasadorë britanikë akuzojnë qeverinë izraelite për spastrimin etnik të palestinezëve dhe kërkojnë masa konkrete për të ruajtur zgjidhjen me dy shtete.
Diplomatët e cituar nga The Guardian thonë se Palestina po “fshijet para syve të botës” dhe kërkojnë, ndër të tjera, pezullimin e marrëveshjeve tregtare me Izraelin, ndalimin e transferimit të armëve dhe të bashkëpunimit ushtarak, si dhe ndalimin e tregtisë dhe investimeve në vendbanimet izraelite në territoret palestineze.
Ata dënojnë sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023, por theksojnë se ato nuk justifikojnë politikën e shkatërrimit të Gazës dhe popullsisë së saj. Sipas tyre, situata në enklavë si dhe dhuna e kolonëve dhe prishja e shtëpive palestineze në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor përbëjnë një krizë të rëndë humanitare dhe politike.
Më tej, kërkojnë hyrje të pakufizuar të ndihmave humanitare në Gaza, përfshirë përmes agjencive të OKB-së, si dhe qasje për gazetarët, diplomatët dhe parlamentarët. Diplomatët argumentojnë se Franca dhe Britania, pasi e kanë njohur Palestinën si shtet në vitin 2025, kanë përgjegjësi të ndërmarrin hapa konkretë për ta bërë këtë njohje efektive dhe për të mbrojtur të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje. Në të njëjtën kohë, ata kërkojnë që edhe udhëheqja palestineze të reformohet, të garantojë një shtet demokratik dhe funksional dhe që zgjedhjet e ardhshme të çojnë në rinovim politik.





