Një moment qetësie dhe heroizmi shmangu një tragjedi të mundshme në një autostradë në Suedi, kur dy pasagjerë arritën të shpëtonin rreth 50 persona pasi shoferi i autobusit humbi papritur ndjenjat gjatë lëvizjes.
Sipas mediave lokale, Maria Helte reagoi menjëherë duke kapur timonin e autobusit dhe duke u përpjekur të mbante kontrollin e automjetit dhe drejtimin e tij.
Në të njëjtën kohë, një pasagjer tjetër nxitoi drejt sediljes së shoferit, u ul në vendin e tij dhe frenoi, duke ndihmuar në ndalimin e sigurt të autobusit.
Falë reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të dy pasagjerëve, autobusi u ndal pa shkaktuar aksident. Në të ndodheshin rreth 50 persona dhe asnjëri prej tyre nuk u lëndua.
Ngjarja ndodhi më 19 gusht, ndërsa pamjet e incidentit u publikuan sot. Maria Helte, e cila nuk kishte përvojë të mëparshme në drejtimin e një autobusi, nuk hezitoi të ndërhynte në momentin kritik dhe mbajti automjetin nën kontroll derisa ai u ndal.
Pasagjerët përjetuan momente ankthi, ndërsa shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe shoferi mori ndihmën e nevojshme mjekësore.
Reagimi i dy pasagjerëve bëri të mundur shmangien e një aksidenti potencialisht tragjik, duke treguar se qetësia dhe vendosmëria në momente kritike mund të jenë vendimtare.





