Një gabim në dizajnin e medaljeve të maratonës së Sidneit është bërë viral… vetëm pak ditë para zhvillimit të garës, më 30 gusht. Llogaria zyrtare e eventit publikoi imazhin e medaljeve që do t’u dorëzohen vrapuesve në finish dhe në to vihet re se, gabimisht, është gdhendur “Allianz Arena”, stadiumi i vendosur në qytetin gjerman të Mynihut, në vend të “Allianz Stadium” të Sidneit. Një zëdhënës i organizatorëve e cilësoi këtë gafë si “një gabim fatkeq”, por pranoi se “nuk do t’i fshihemi këtij gabimi.

Në pjesën e pasme të medaljes së finalistëve është futur pa dashje një element paksa tepër ndërkombëtar, me një paraqitje të pasaktë të stadiumit”.

Në medalje janë paraqitur disa prej pikave më të njohura të qytetit, si Opera e Sidneit dhe Ura e Portit, të cilat ndodhen përgjatë itinerarit të garës. Megjithatë, stadiumi i paraqitur nuk është ai i Sidneit, por “Allianz Arena” e Mynihut. Madje, edhe llogaritë në rrjetet sociale të “Allianz Arena” e kthyen gabimin në një shaka. “Suksese të gjithë pjesëmarrësve! Shkoni dhe fitoni atë medalje”, shkruan në postimin e tyre.