Migjeni, shkrimtari ynë më i shquar i realizmit kritik, i cili shkroi kohën e tij, por profetizoi edhe kohën tonë, nuk i kish arritur as 27 vjetët. Vdekja arriti te pavdekshmëria e tij. Ç’humbje kolosale për artin shqiptar të letrave! Një jetëgjatësi normale do t’i jepte sigurisht dimensione të tjera. Megjithatë mosha e re nuk e pengoi të ngrihej si apostull i lirisë, i të drejtës e të vërtetës; si flamurtar i progresit, humanizmit e demokracisë. Art i madh i një shpirti të madh, që shkëlqen edhe më fort me kalimin e viteve. Atë s’e prek aspak erozioni i kohës. Sa i ri, por sa i vetëdijshëm e i përgjegjshëm për misionin e rëndësishëm si diagnostikues, por edhe si akuzues i pashembullt i mjerimit, padrejtësisë, mashtrimit, hipokrizisë e moralit te kalbur.
Poet modern e novator, në përmbajtje e në formë. Ai ka shkruar:”Thellë në veten time flejnë kangët e pakëndueme…/e unë jam vullkani që fle i fashitun…/unë djepi juej, ndoshta vorri juej.” Sa prekës e i dhimbshëm ky pohim i fundit, që rezultoi i vërtetë, pasi gjatë viteve 1927 -1932 kishte të regjistruara 257 mungesa, për arsye shëndetësore, në seminarin e Manastirit dhe vdiq 27 vjeç. Poezia e tij “Vuejtja” (gusht 1938) ishte shkrimi i fundit i botuar. Poeti që e parandiente vdekjen, mjaft poezi i ka cilësuar “këngë”. Ai që e këndonte serenatën e Shubertit, e la veprën e tij një simfoni të pambaruar, por të pavdekshme.
Te proza “Pak poezi” shkruan:”Poezia asht prona e të riut. S`ka të ri që nuk e ndien bukurinë. E njajo ndjenjë e bukurisë, që shfren ndër fjalë, asht poezia.” Proza asht më tepër si pronë e moshës së pjekurisë. Tri ndarjet e krijimtarisë së tij: poezia, alternativa (dilemë, skicë, ese, novelëz) dhe novelat e qytetit të veriut, mund të pasoheshin nga romani. Vetëm 5 vjet krijimtari, që na mahnit, tërheq e na nxit vazhdimisht per interpretime të reja.
Kishte mësuar gjuhë të huaja. Kishte një horizont të gjerë letrar e filozofik. Në vitet `30 botohej e lexohej letërsia artistike klasike, romantike, realiste e moderniste: Homeri, Virgjili, Shekspiri,Hygoi, Zola, Pushkini, Balzaku, Tolstoi, Dostojevski, Gëte, Shiler, Hajne, Kafka, Rilke, Bodëler, Rembo, Verlen… Po ashtu edhe letërsia filozofike: Frojd, Niçe, Hegel,Shopenhauer, Kirkegard Bergson, Djui, Dyrhem, Jung, Marks…Në rrethin e debateve të drejtimeve të ndryshme, u shfaq një brez poetësh, prozatorësh, sociologësh e publicistësh shqiptarë si: P.Marko, S.Spasse, N.Bulka, K.Cepa, G.Pali, Qemal e Veli Stafa, S.Shpuza, T.Gjyli, M.Treska…Te krijimtaria e Migjenit spikat lidhja e ngushtë e mendimit letrar e filozofik. Është lakonik, por me një botë aq të pasur shpirtërore.
Nisi botimi i krijimtarisë së tij në vitet 1933 -34, te revista “Illyria”, me dy alternativa, një dilemë (ekzistenciale) dhe një poezi: “Sokrat i vuejtun, apo derr i kënaqun”, “Ose…ose”, “Tragjedi apo komedi” dhe “Shpirtënt shtegtarë.” Pra e nis me Sokratin, filozofin më të madh e pa vepra të shkruara, por më fatkeq se Migjeni, pasi u detyrua të pijë helmin, kur “e gjykuan të vdekur 500 perëndi të vdekjes”. Sokrati martir e vuri jetën në shërbim të së vërtetës e të idealeve të larta morale.
Migjeni godet hipokrizinë e njeriut, i cili dëshirat, synimet e ulëta i fsheh pas pamjes së jashtme dinjitoze, por të rreme. Njeriu i pushtetshëm e i korruptuar “de jure u ba Sokrat e de facto ishte derr… Kështu njeriu kalon nëpër shekuj. Në vend që të naltsohet, njeriu poshtnohet.” Te “Ose…ose” shtron alternativën tjetër: “A të vazhdojë njerzia të lozi rolin e Hamletit të çmendun, apo të fillojë lojën plot aventura të Don Kishotit?…U mblodhën taboret e u vunë në lëvizje.” Dënohen demagogjia dhe synimet e shteteve fashiste, që venë përballë ”njerzinë kundër njerzisë.”Gjendja e rëndë e shoqërisë njerëzore, pasiguria e së ardhmes dhe nevoja për ndryshim.
Ndërsa te dilema “Tragjedi apo komedi” shënon fatin tragjik të njeriut, i cili është i dënuar të bëhet lodër e idhujve që ka krijuar vetë. Përplasja mes dhimbjes së jetës dhe absurdit të saj.Të tria esetë janë koncentrim i filozofisë ekzistenciale të njeriut. Jeta njerëzore – shfaqje e ndjenjave të kundërta. I përqaset realizmit ekspresiv, duke përdorur në to edhe groteskun. Ndërsa poezia “Shpirtënt shtegtarë” shpreh idenë e kërkimit të vazhdueshëm të njerëzve që udhëtojnë, jo vetëm nëpër botë, por edhe në mendim e ndjenja, duke kërkuar vendin e tyre.
Migjeni e nis kështu publikimin e veprës së tij, si një krijues e mendimtar, i shqetësuar për fatet e kombit. Krijimtaria e tij – pasqyrë e ndërgjegjes së kohës. Sa mesazhe aktuale, kombëtare e universale na përcjell ajo! Por, sa keq që vlerat e papërsëritshme ideore, artistike, estetike te veprës së tij, me mesazhe universale, nuk arrijnë të përkthehen edhe në shumë gjuhë të huaja, në atë nivel, sa ta kthejnë edhe atë, ashtu si pasardhësin e tij të denjë, Kadarenë, në një fenomen ndërkombëtar!
Në shtator 1936 libri “Vargjet e lira”, i shtypur, nuk u lejua të qarkullojë. Ndërsa “Novelat e qytetit të veriut”, me nëntitull “Refrenet e qytetit të veriut”, mbeti dorëshkrim. Nuk arriti ta shihte botimin e veprës së tij të plotë. Mjaft nga vargjet e lira, ku “ngadhënjejnë ndërgjegjja dhe mendimi i lirë,” si dhe mjaft pjesë nga proza e tij poetike, kanë shpesh formën dhe përmbajtjen e sentencave me vlerë të gjithhershme. Fjala e tij poetike, si fryt i prekjes së shpirtit aq të ndjeshëm me realitetin e pashpirt, ndikon e do të ndikojë përherë në ndjenjat e mendimet tona, duke na lartësuar intelektualisht e duke na fisnikëruar shpirtërisht.
Shohim kurajo e fisnikëri synimesh, në mbrojtje të së vërtetës, si dhe të drejtës së më të dobtëve, që është edhe e drejta më njerëzore në një demokraci të vërtetë: “Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejtë”. Çdo ditë e më i vetëdijshëm bëhet poeti: “Përditë shoh qartë e ma qartë| dhe vuej thellë e ma thellë”(Kanga e fundit). Ai është i bindur se” inteligjenca pak kuj i solli lumtuni”. Por, në emër të “bijve të shekullit te ri” goditi themelet e sistemit të pashpirt: mjerimin, injorancën, amoralitetin, maskat, idhujt e rremë, dogmat, mitet.
Te “Poema e mjerimit” paraqet një botë, ku lutja nuk e ndryshon fatin e të varfërve. Vihet në dyshim efekti i besimit fetar përballë mjerimit. Në labirintin e zemrës e të ndjenjave strehohet shpesh vetmia e poetit, që vizaton kontraste deri në ekstremet optimizëm – fatalizëm: “Fati ynë mizor – shpatë e Damokleut”…”Dritë, jetë, gjallsi askund | vetëm errsinë e skam”…”Në vendin tonë | kudo valojnë | flamujt e një melankolie të trishtueshme”…”Nuk e dishe, o jetë,| se kaq i tmerrtë| asht grushti yt, | që mbyt| pa mëshirë.”
Në anën tjetër të kontrastit, poeti shkruan:” O dhimbë krenare e shpirtit që vuen| dhe shpërthen ndër vargje te lira…| koha do t’ju bijë ngushllimin|…Vuejmë, dëfrejmë…|Jetën adhurojmë…| dhe adhrojmë pranverën me një apoteozë…Një jetë e re | me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim”…”Sado e mjerueme, jeta asht prap e dashtun”…”Qeshu, rini, qeshu! Bota asht e jote”. Pra nën gërmadhën e shpresave të përmbysura, shkëndijon edhe besimi, optimizmi.
Për Migjenin krijimtaria është vuajtje, dhembje, por edhe kënaqësi, ekstazë. Kohës së errët, në të cilën jetoi e krijoi, ai i dha dritë. A është kontradiktor Migjeni? Ai është “bir i shekullit”, i dyshimit, mosbesimit, por edhe optimizmit rinor, i “ triumfit të bylbylit kangëtar të një jete të re”. Edhe kur mohon, edhe kur pohon, është brenda natyrës njerëzore dhe moshës rinore. A s’është mosha e re që shpesh endet në ekstremet e kontrasteve? Tek të rinjtë pasionet janë më të forta. Dhe, ndërmjet pasioneve, ka shpesh dëshpërim. Ai që shpreson, edhe dëshpërohet, zhgënjehet.
Pohimi e mohimi, optimizmi e pesimizmi ndodh që gjenden në kontrast edhe brenda të njëjtës poezi: ”O frymzim i em i ngratë|mjaft me plagë që s’kanë shërim|leni te dergjen në mjerim”. Dhe më pas thuhet:”S’i due hovet tueja të nalta|as fluturimet…Nëpër balta| të ditve tona të shklas un due,|rrokë me njerzit që rrok nata”. Ose thuhet:”Njerzit më kot dikojnë djersën”…Ndërsa në anë tjetër shpreson:”Ndoshta ka me zbardhun një agim i pritun”. Në të dy rastet pohimi i dytë është pohimi i tij.
Studiuesi M.Zeqo shkruan:”Migjeni është i thellë, por jo i errët. Kompleks në rebelizmin e tij, por i kthjellët në kumtin e tij. Pesimizmi i tij nuk është as i përgjithshëm, as konsekuent”. Dëshpërimi e revolta e tij ndaj “malit që s’bëzan” nuk është pesimizëm, por thjesht humanizëm.
Notat romantike më të rralla shfaqen, si në penelatat që pikturojnë natyrën e bukur malore, ashtu edhe në poetizimin e ndjenjës së dashurisë, kur shkruan:”Me kangë në buzë e me hove të reja| u zgjue agimi pranveruer”…”Zemrat e lulzueme enden për me gjetë një flutur që t’ia dhurojnë nektarin”. Dashuria shihet si virtyt e si “apoteozë për gruen hyjneshë”. Por natyra e bukur e romantike kontraston me realitetin e rëndë e tragjik:”E natyra pranverore qesh dhe kënaqet, që po prodhon qershia të kuqe dhe fmi të mjeruem”…Sado e mjerueme, jeta prap asht e dashtun. Ajo përmban në vetvete gëzimin e të qenunit”.
Filozofia ekzistenciale e jetës së vështirë – në shkallën e mbijetesës. Te “Bukuria që vret”thotë:”Dhe agimi zbardh me bukurinë e bardhë që vret”. Një tjetër pikturë e fortë realiste, një skenë tronditëse, një revoltë mendore e plot zemëratë ndaj pushtetarëve të pandjeshëm:”E trupi i vocrrakut ishte bamë një shtatore e ngurët, e zhgulun nga gjini i nanës. Merrnie dhe çonie në qytet këtë shtatore…Kushtonia ndoj ministrit o deputetit…”
Kurse “Në sezonën e mizave” na kujton realitetin e sotëm politik:”Njerëzit që marrin rroga për miza ku janë? Deputetët çka bajnë?” Deputetët janë një lloj a specie e veçantë, me rroga të majme e me imunitet. Shkojnë në parlament, kur të duan dhe shpesh flasin pa etikë qytetare, se janë “elita e kombit”.
Migjeni s’ka vetëm shpirt rinor. Ai është edhe filozof në trajtimin e problemeve sociale. Si intelektual i kulturuar evropian, ndikohet nga ekzistencializmi, simbolizmi, romantizmi e impresionizmi, por kolona vertebrore e krijimtarisë tij mbetet realizmi kritik. Poetika e tij është moderne, ekspresioniste e tragjike. Problemi i ekzistencës njerëzore, i fatit të tij në jetë, enigma e qenies njerëzore, ka qenë tema e përhershme e Migjenit, e trajtuar nga këndvështrimi poetiko -filozofik, estetik, përshkuar nga ideali demokratik e humanitar.
Të gjitha krijimet e tij, në poezi e në prozë, përshkohen nga mesazhi human. Migjeni -poet i mendimit e i meditimeve të thella; i ndjenjave të holla dhe i një gjuhe ekspresive, emocionale e mjaft tërheqëse. Migjeni:”Gjithçka në art duhet të jetë artistike, estetike, dhe e vërtetë, pa kompromis, për të zbuluar thelbin e jetës shoqërore, morale, psikologjike të marrëdhënieve njerëzore, për ta pasuruar lexuesin shpirtërisht dhe estetikisht, që ai të mendojë e të luftojë për të drejtat e tij.”
Poeti ynë dëshiron një zgjim, një “ringjallje mbi të vjetra kalbsina”. Qëllimi i tij është zgjimi në popull i ndjenjës së dinjitetit, aq të përlyer e të nëpërkëmbur. Migjeni:”Admiroj stilin e Shopenhauerit, por shopenhaurist nuk jam..Besoj në Mbinjeriun”. Roli i individit në histori njihet; si në sensin negativ të diktatorëve, ashtu edhe në atë pozitiv të udhëheqësve të revolucioneve antidiktatoriale.
Mbinjeriu niçean, “pa zemër e pa ndjenja”, paraqitet si një ideal, si një model i forcës e i vullnetit, që kapërcen dobësitë dhe kufizimet e njeriut të zakonshëm. Do“Të lindet një njeriu”!| Pa hyll në ballë, por që me fjalë të pushton,|…Të dalë një njeri! / Të mkambi një Kohë të Re!/ Të krijojë një Epope!..Për një ide të re, ideal bujar, |…për një agim të lum e të drejtë kombtar”. Kërkon që njeriu të ketë ndërgjegje e humanizëm.
Në fakt, pas Luftës së Dytë Botërore, sundoi diktatori “me yll në ballë”, i cili më 1.6.1943 kish urdhëruar fillimin e “luftës civile”, ndërsa më 26.3.1944 shpalli “luftën e klasave”, kur deklaroi:”Lufta jonë do të mbarojë vetëm me vendosjen e diktaturës së proletariatit.”
Migjeni nuk është idealizues a mitizues i kohëve e të njerëzve të lavdishëm, pasi për të primare është gjendja aktuale dhe “agimi i pritun”. Megjithatë ai shpreh krenarinë për kohën e ilirëve, kur “zemra e kombit në liri kumbonte” e kur “stërgjyshnit|qenë fatosa të vërtetë dhe u banë flija|për fe e atdhe”. Shprehet me shqetësim për vendin e tij, se “dheu qe kafshatë e huej”. E më tej vijon:” S’duem me humbë|në lojë të përgjaktë të historisë njerzore”. E dyshimi që lind natyrshëm:”Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?”
Shqetësimi i Migjenit për fatet e vendit ishte më se i ligjshëm, për shkak të fqinjëve shovinistë:”Veri’ që fryn pa mshirë|…si hajn në shtëpiat e kojshive hyn”. Kadare:”Shekujt si qentë të kafshuan,/ ku mundën të të hanë.”
Shqetësimi i Migjenit është edhe internacionalist. Përmes groteskut hiperbolik, godet agresionin nazist e fashist në Guernika (Spanjë) të 26 prillit 1937. Në pamfletin sarkastik “Urime për 1937” shkruan:”Të uroj, shok i dashtun, gjumin e ambël. Të mos ndëgjosh dëshprimin e të mundunve, as britmën e ngadhnjyesve në këtë jetë. Të jesh i gëzuem, edhe pse zemra të pëlset.” Pasojat shkatërrimtare të luftrave agresive i pasqyron edhe te “Të korrunat”, ku, nga bota reale, kalon në botën virtuale, imagjinare, përmes kapërcimeve fantastike dhe figurave fantazmagorike: ”Dhe erdh dita e të korrunave. Në mëngjesin e kristaltë…kur iu avitën arave, fshatarët nisën të fërkojnë sytë. Grykat e topave të luftës u kërcnoheshin t`i përpijnë. Fëmijëve u thanë:”Do të mësoheni me ngranë hekur! -Oho, me ngranë hekur-këndojshin e kërcejshin fëmitë pa të keq.”
Historia përsëritet. Kështu nisi edhe agresioni rus në Ukrainë me 24 shkurt 2022, në orën 3 e 40 minuta të mëngjesit. Dhe vijon mizorisht në vitin e pestë.
Migjeni pohon se Luken prostitutë “shoqnia drejt ose zhdrejt e detyroi”. Po sot? Mjerisht, mjaft femra si Lokja janë trafikuar në rrugë ilegale dhe kanë dalë në rrugët e Evropës, si punëtore seksi. Për “gruen me sy të zez si jeta e saj”, për “andrrën e shkelun në melodin e këputun”, për lypsin e vogël që “nga mshira e të pamshirve gjallonte e| jetën rrokullonte|ndër besime të rrejta”, si dhe për malsorin “trashigimtar i vuejtjes e durimit, që vuen, ndërsa “mali hesht e në heshtje qesh”; provonte një dhembje të thellë Migjeni, që e ndiente veten “lua’ të ndrym në kafas”. Prandaj shtron pyetjen retorike:”Shtojzovallet e zanat ku janë? S’po flitet ma për vallet e tyne”.
Letërsia e viteve 30, me Migjenin në krye, vinte gishtin në plagët sociale. Realiteti i thyente ëndrrat romantike. Poeti ynë i madh vërtet përshkroi kohën e tij, kërkesat e ndërgjegjes njerëzore e shoqërore, por mesazhet që ai përcjell, nuk kanë kufij kohorë e gjeografikë: “Mjerimi asht një njollë e pashlyeme| në ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj”. Pra mjerimi është tema, problemi ekzistencial për shekujt dhe njerëzimin mbarë. S’ka tema patriotike. Tema kryesore, siç shihet, është pra jeta e njeriut në situatat më të vështira ekzistenciale, parë në prizmin psikologjik.
Varfëria, pabarazia dhe prapambetja e Shqipërisë së viteve `30, janë burimi kryesor i revoltës së tij. Pesimizmi që shfaqet në disa krijime të tij, nuk është vetëm personal, por edhe shoqëror. Leximet letrare e filozofike e shtynë drejt një vizioni kritik e shpesh tragjik të ekzistencës.
Propaganda komuniste kishte nevojë për emrin e një gjeniu si Migjeni, prandaj e vlerësonte për pasqyrimin e mjerimit dhe për ateizmin, madje duke e paraqitur atë edhe si prekursor të realizmit socialist, duke anashkaluar pesimizmin, impresionizmin, ekzistencializmin, apo preferencat letrare e filozofike moderne evropiane.
Për Migjenin ishte i papranueshëm luksi në institucionet fetare në kontrast me mjerimin: “Xhamiat e kishat madhshtore ndër vende tona t’mjerueme”. Dhe është po ai që shkruan: “Të lutem, o perëndi| për një simfoni|…plot dashuni”. Te “Blasfemi” rebelohet kundër Zotit, që “nga lutjet zemra ende s`iu thye.” Është në fakt protesta kundër një rendi, që lejon mjerimin njerëzor. Ndërsa “Lutja” e tij është simbolike. Poeti kërkon forcë, dritë, energji, për të luftuar plagët shoqërore. Nuk është fjala as për doktrinë ateiste materialiste, as për besim fetar.
Luhatjet ideore, kontradiktat e brendshme, pasqyrojnë krizën shpirtërore të intelektualit modern. Ato janë shprehje të dramës së njeriut të kohës, i cili lëkundet vazhdimisht ndërmjet mohimit dhe shpresës, dëshpërimit dhe besimit për ndryshim. Por në krijimtarinë e Migjenit vihet re ndjeshmëria e jashtëzakonshme ndaj vuajtjeve të njerëzve të thjeshtë, të varfër, ndërthurur kjo me urrejtjen ndaj pandjeshmërisë për dinjitetin, të drejtat e të pambrojturve. Dhe realizmi kritik ekzistencial mbetet boshti themelor i pandryshueshëm.
Nëse Migjeni do të kishte jetuar edhe në vitet 40 e 50 të shek.XX, kur kleri u persekutua dhe u ekzekutua mizorisht nga komunistët, që çliruan vendin, por mohuan liritë dhe të drejtat e njeriut; vepra e tij që përmban poezi si “Trajtat e mbinjeriut”, “Rezignata”,”Pesha e fatit”,”Shpirt i ri”,”Nën flamujt e melankolisë”,”Vetmia”, “Vuejtja”,“Lutja” etj. do të gjykohej e do të dënohej, së bashku me autorin, botuesin dhe lexuesin. Migjeni nuk do ta pranonte dogmatizmin e 5 parimeve të realizmit socialist, as autocensurën.
Gjatë viteve `30 të shek.XX, modernizmi evropian solli një mënyrë të re të të menduarit, për njeriun, shoqërinë, artin e filozofinë. Ai u karakterizua nga kriza e besimit, individualizmi, prishja e modeleve tradicionale, si dhe kërkimi i formave të reja artistike. Arti i Migjenit nuk pranonte as artin pa ide dhe as idetë pa artin, por vetëm sintezën e tyre.
Arti i tij nuk imitoi, por përthithi elemente të të simbolizmit, ekzistencializmit, surrealizmit, ekspresionizmit dhe impresionizmit, për paraqitjen e një bote të deformuar nga mjerimi, por duke i përshtatur ato me realitetin shqiptar. Migjeni shkroi në një periudhë, në të cilën bindjet filozofike dhe botëkuptimi i tij ishin ende në zhvillim. Kjo mund të shpjegojë disa luhatje mes revoltës, shpresës, dëshpërimit. Edhe vetëdija për një jetë që mund t`i shkurtohej nga TBC-ja, ushqeu motivet e dhimbjes, kohës së humbur dhe vdekjes.
Nga Niçe mori frymën e revoltës kundër moralit tradicional dhe kundër nënshtrimit të individit. Reflektoi ankthin ekzistencial të Kafkës. Për Artur Rembonë, ashtu si për Migjenin, detyra e poetit është ajo e profetit, parathënësit, që sheh në realitet edhe aspektet, të cilat njeriu i zakonshëm nuk arrin t`i perceptojë. Nga ekspresionizmi përvetësoi figuracionin e fuqishëm, por edhe të errët e tronditës, kontrastet e mprehta, tonin dramatik.
Surrealizmi është shfaqje e një shpirti rebel ndaj traditës dhe normave shoqërore, në kërkimin e një super(mbi)realiteti), përtej asaj që shohim e përjetojmë, frymëzuar nga nënvetëdija, nga ëndrrat, vizionet, fantazia, bota e fshehtë e shpirtit. Përdorimi i simboleve, për t`i dhënë ekspresivitet ngjarjes, e bën surrealizmin të afërt me simbolizmin. Kjo liri e të shprehurit, sjell anën misterioze të natyrës së njeriut, eksploron shqetësimet individuale të poetit. Këto krijime kanë edhe ndikime të realizmit magjik, i cili lidh ëndrrën me realitetin, vetëdijen me nënvetëdijen.
Disa shkrimtarë, si Shevqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi etj. u ndikuan nga letërsia sovjetike e realizmit socialist, kryesisht në poezi e publicistikë. Pas Luftës II Botërore, ata u bënë përfaqësuesit e parë më të shquar të realizmit socialist. Më 1949 Shevqet Musaraj u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, pasi u rrëzua Sejfulla Malëshova. Dhimitër Shuteriqi u bë zv. kryetar dhe në vitet 1954 -1973 kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Kurse Migjeni nuk ishte paraardhës i realizmit socialist.
Më 1954, pas vdekjes së Stalinit, David Samoillov me Roza Koçin, përkthyen në rusisht veprën e plotë të Migjenit. David Samoillov në vitin 1961 do të shkruante edhe parathënien e librit rusisht “Lirika” të Kadaresë. Studiuesja ruse e letërsisë, Gertruda Entrej, pedagoge edhe në Universitetin e Tiranës, në monografinë e saj shkencore “Krijimtaria e Migjenit”, botuar në rusisht nga Universiteti i Leningradit më 1973, argumenton se teoritë që e shpallnin Migjenin pararendës të realizmit socialist, ishin absurde dhe produkt i një sociologjizmi vulgar”.
Libri i saj u sulmua nga regjimi komunist në Shqipëri. Kritikat zyrtare, të nxitura nga Koço Bihiku dhe Dhimitër Shuteriqi, e akuzuan G.Entrejin se “po përpiqej ta shkëpuste Migjenin nga realiteti shoqëror shqiptar dhe nga lëvizja komuniste e viteve 30. Studimin e saj e konsideruan si “përpjekje borgjeze, për ti veshur poetit rryma dekadente perëndimore.” Libri i saj u cilësua “revizionist” dhe u hoq nga qarkullimi.
Me këtë rast, me kënaqësi e nostalgji për vitet studenteske (1960 -1964), po përmend emrat e dy krijuesve dhe studiuesve të njohur, bashkëstudentë dhe miq të mi. Hasan Lekaj e kishte gjetur librin e G.Entrejit dhe e kishte lexuar në rusisht, ndërkohë që ishte i ndaluar në Shqipëri. Ndërsa Sulejman Mato, në shkrimin e tij “Migjeni, një fenomen i pashpjegueshëm ”, shprehet:”Ishte libri “Krijimtaria e Migjenit” i studiueses Gertruda Entrej, që më intrigoi për të shkruar këto rreshta, dhe për të treguar se sa larg ka shkuar jehona e poezisë migjeniane dhe sa zemra ka trazuar poezia e tij. U deshën plot 50 vjet, që këtë studim me vlera të veçanta, të na e sjellë, të shqipëruar mrekullisht nga rusishtja, përkthyesja e talentuar Laura Xhaxho. Ishte një dashuri e viteve studenteske, apo një përkushtim ndaj krijimtarisë së poetit? Ky përkthim mendoj se është një afirmim i njohjes së thellë të të dy gjuhëve, për të na e sjellë në shqip, këtë studim të një autoreje ruse për poetin tonë të madh kombëtar.”
G.Entrej, nisur nga ditaret e dorëshkrimet e Migjenit, shprehet:”Migjeni pohonte se arti nuk duhet t`i shërbejë asnjë dogme politike. Shkrimtari duhet të jetë plotësisht i lirë.” Grupin komunist të Korçës etj. i cilësonte “doktrinarë, dogmatikë e të paftë për të kuptuar thellësinë e vuajtjes shpirtërore e njerëzore. Dorëshkrimet e dëshmonin si një njeri të vetmuar dhe ekzistencialist, që nuk po ndërtonte një ideologji të re, por po ulërinte kundër mjerimit universal.”
Pas 50 vjetësh, libri i G.Entrejit u botua, i përkthyer në shqip, nga Laura Xhaxho. Përkthimi i saj u cilësua “një akt dritësimi kulturor, duke thyer izolimin e këtij studimi unikal, me një analizë të thellë eseistike e shkencore, që u karakterizua, “si një zbulim i Migjenit të panjohur”. Përkthimi shërbeu si një korrigjim historik për studimet albanologjike. Libri dëshmoi se, jashtë Shqipërisë, që në vitin 1973, bota e njihte Migjenin, si “një fenomen të pashpjegueshëm modernist, krejt të pavarur nga rrymat politike”.
Lidhur me përdorimin e gjerë të groteskut nga Migjeni, G.Entrej shprehet:”Problemet serioze Migjeni i ngre me mprehtësi dhe ekspresivitet, duke shfrytëzuar gjerësisht fantastiken, i ndikuar nga Salltikov Shçedrini, i cili ishte më i pëlqyeri nga shkrimtarët rusë, në përdorimin me efekt të veçantë të groteskut, si stil letrar.”
Migjeni i ka shkruar J.Misjes: “Kam fituar një kënaqësi të madhe nga “Historia e një qyteti” dhe “Zotërinjtë Gollovjovë” të S. Shçedrinit. Problemet serioze e politike ai i ngre në mënyrë të qartë, duke përdorur fantazinë dhe groteskun. Shumë aluzione mendjemprehta e serioze, mbeten të pakuptuara. Jam i joshur gjithashtu nga finesa e L.Tolstoit, si edhe nga pamfletet e tregimet ruse të Gorkit. Sa qartësi, thellësi e njohje të psikologjisë njerëzore ka në to!” Ndërsa ndikimi nga Dostojevki, lidhet me analizën e vuajtjes, varfërisë, konflikteve të brendshme të njeriut dhe gjendjes psikologjike, apo dramës së brendshme të personazheve të vuajtur.”
Përkundër ideologëve të realizmit socialist, Migjeni është shprehur:”Kam dëshirë ta quaj veten nxënës të francezëve”. U ndikua nga kreu i simbolizmit Charles Baudelaire, në poetikën e trishtimit, në atmosferën e errët, në ndjenjën e krizës shpirtërore të njeriut modern, si dhe në trajtimin e shpeshtë të vetmisë, të dëshpërimit dhe kontrastit mes idealeve dhe realitetit. Ndikimi i Viktor Hugo-it shfaqet në humanizmin dhe mbrojtjen e shtresave të dobëta të shoqërisë, veçanërisht në paraqitjen e të varfërve me dhemshuri e solidaritet. Te Migjeni, ashtu si dhe te Henrik Ibseni, shfaqet përplasja e individit, që kërkon të vërtetën me një shoqëri kufizuese.
Përveç shkrimtarëve të shquar evropianë, Migjeni u ndikua edhe nga filozofët dhe ideologët, që trajtonin vuajtjen njerëzore, pabarazinë shoqërore, si edhe krizën e vlerave.
Migjeni demaskoi shoqërinë hipokrite dhe moralin e saj: “Nderi i shoqnis është i pacënueshëm. Skandali nuk durohet, se shkakton vdekjen e nderit”. Përmes sarkazmës dënon hipokrizinë, si tipar i neveritshëm i njeriut të tjetërsuar, ndërsa në alternativat e tij filozofike dominon grotesku. Në këtë botë të parregulluar, njeriu parapëlqen më mirë maskën se sa të vërtetën. E Migjeni thërret: “Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurrizin tand, ndrro format! Hiqi bragashat(maskat)!”
Koha e sotme vërteton se rritja e civilizimit, progresit është në përpjesëtim të zhdrejtë me moralin. Por Migjeni duket sikur profetizon udhëtimin e Shqipërisë drejt Evropës: “Dielli do ndrrojë rrugën| ka për t’u lindë nga Perndimi…Enden shpirtënt tonë nëpër vise te Perndimit të mrekullueshëm…Një tingull perndimi – ngushllim për mue”.
Migjeni, si një gjykatës i rreptë i një realiteti të rëndë, sikur paralajmeron ardhjen e realizmit socialist, i cili ferrin duhej ta paraqiste si parajsë. Ai ngrihet kundër artit me porosi, që i nënshtrohej ideologjisë e politikës së parisë dhe që mbulonte gjendjen e rëndë dhe krimet: “Kriza e tashme, si një polip, po thith e po shter trutë e Parisë (mund të lexojmë edhe: Partisë)…Vendimi i Parisë: “Me anë të artit të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasve…Arti i frymëzuem dhe i punuem mbas recetave të Parisë…Dredhi! Poshtni!”
Te “Programi i një reviste” thuhet: ”Politika ska themel të shëndoshë, ska ligj, ska rregulla; ska as moral…Politika asht kameleon.” Për Migjenin revistë ideale, apolitike, me qëllim arsimimin, mbrojtjen e atyre që skanë mbrojtje, si dhe zgjimin e kombëtarizmës, smund të ketë, sepse duhet subvencion. E kush subvencionon, dikton. Ndërsa për drejtësinë e padrejtë, siç është edhe sot, ai shkruan: “Edhe dreqin e mbron ligji”.
Frojdi thotë: “Drejtësia është kushti i parë i qytetërimit”. Por kemi aktualisht një drejtësi të mirëpaguar, por që me zvarritjet e pandjeshme deri 20-vjeçare, vendimet mbeten pa vlerë, ose kanë efekt të kundërt. Gjykata Kushtetuese merr vendime gjysmake. Vendosi: Teatri Kombëtar nuk i takon Bashkisë, por Ministrisë së Kulturës. Edhe pas padive, ankesave e protestave nuk u shpreh, kur teatri u prish natën nga Bashkia. Kadare: “Drejtësia është turpi i kombit”.
Te “Idhuj pa krena” Migjeni shkruan: “Një tufan i tmerrshëm i shembi idhujt. Disa i bani pluhun, disa i la pa krena. Çdo kohë përmbys idhuj (figura) që janë ngritur përdhunshëm në piedestal. Poeti ynë kërkonte njerëz të mëdhenj, idealistë të vërtetë, se ata të deriatëhershmit i dukeshin pa krena. Na duket sikur ai përfytyroi, me imagjinatën e rrallë, si revolucionin popullor, ashtu edhe atë demokratik.
Ai shkruan më tej: “Ata që kishin lindur para se të shembeshin idhujt, tash rënkojnë, psherëtijnë për kohën e idhujve të vjetër dhe, tue vdekun, shpresojnë se këta idhuj do t’i shpëtojnë”.Ende ka nostalgjikë që e mbajnë si idhull pa krye, pas Sulltanit, ish diktatorin, që nëpërkëmbi idealet e dëshmorëve, të cilët as nuk e kishin imagjinuar që frytet e revolucionit popullor do të ishin: lufta e klasave, izolimi, censura, dhuna, propaganda, bunkerizimi dhe varfëria ekstreme.
Te “Bukën tonë të përditshme falna sot”, Filipi shprehet: ”Po çudi asht kjo puna e këtyne bolshevikve! Si njerëz t`egjër ishin…” Pra njiheshin edhe në Shqipëri pasojat e komunizmit në B.R.S.S. Te “Gogoli” grotesku dhe hiperbola fantastike nxjerrin në pah përpjekjet për të nënshtruar dhe frikësuar popujt me gogolin e luftës. Sa më i paditur, aq më lehtë mbahet i nënshtruar populli i thjeshtë, që përdoret si “mish për top”.
Hygo:”Nuk ka faj ai që mëkatnon, por ai që krijoi errsinën”. Migjeni shkruan:”Gogoli ka hapë shalët nga njena anë e kontinentit, në tjetrën…Errsina krijon gogola..Zot, na shpëto nga gogoli…Dhe në frigë kolektive, në panik, psikologjia e njerëzve dhe e shtazëve asht një.”
Me një imazh surreal hapet edhe Manifesti i Partisë Komuniste:”Një fantazmë sillet nëpër Evropë. Fantazma e Komunizmit.” Fantazma të kall frikën. Lugat. Paralajmëron, ndjell të keqen. Gogoli, figura e përrallave, përfytyrohet si një qenie e tmerrshme, me të cilën tremben fëmijët. Kur u vendos sistemi komunist në Evropën lindore, erdhi me alternativat absurde (dikotomi): demokraci popullore- diktaturë e proletariatit, unitet i çeliktë rreth partisë- luftë e pamëshirshme e klasave.. Komunizmi utopik rezultoi i përgjakshëm dhe ra. Karl Poper:” Marksi -profet i rremë, i mposhtur nga historia.”
Duke profetizuar që e kaluara mund ta mbajë peng të ardhmen, siç po ndodh, kur ende nuk është bërë dënimi i krimeve të komunizmit e nuk janë hapur dosjet, Migjeni thotë: “Kufoma duhet varrosë, përndryshe e përlyemja me të, ka për të qenë katastrofale”.
Dritëro Agolli, më 14 qershor 1991, në kongresin X të Partisë së Punës, i bëri autopsinë sistemit diktatorial komunist. Ai ushpreh: ”Vija e diktaturës së hekurt, që vendosi E.Hoxha dhe lufta e klasave, mbollën farën e frikës e të terrorit te të gjithë komunistët dhe shqiptarët. Gjendja katastrofike e ekonomisë solli varfërim deri në palcë. 20 familjet e Bllokut jetonin si sheikët e Kuvajtit. Cdo gjë e zgjidhnin tre kulte: i Enver Hoxhës, i Partisë së Punës dhe i Sigurimit.”
Kur u bind që Partia e Punës nuk donte të rinovohej, por ndërroi vetëm emrin e u quajt Partia Socialiste, D.Agolli shtoi:”Unë kot mora mundimin t`ju shpëtoja. Do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e të vdekurit.”
Aktualiteti dhe forca e rrallë artistike në veprën, ku ndjenja dhe mendimi bashkëjetojnë në një sintezë aq origjinale, kanë bërë që emri dhe vepra e Migjenit të mposhtin dekadat, duke mbetur të pavdekshme. Një diapazon i gjerë motivesh, temash, problematikash. Migjeni është mjeshtër i vargut, se është origjinal dhe është origjinal, se është poet i madh.
Në veprën e tij, edhe forma, edhe përmbajtja, edhe llojet e vargjeve e të strofave, janë konceptuar me origjinalitet dhe sipas ligjeve të së bukurës Poezi strofike e monokolonë. Strofa me 1 deri 14 vargje. Vargje me 2 deri 21 rrokje. Vargje të bardhë, të thyer, të rimuar. Figuracion jashtëzakonisht i pasur, ku dominon metafora, por të shumta janë edhe personifikimet (apostrofat), antitezat (kontrastet), pyetjet retorike, simbolet, ironia, sarkazma, grotesku, krahasimet, epitetet, retiçencat etj. Figuracioni i zgjedhur mjeshtërisht, tërheqës e funksional, i jep krahë fantazisë e i hap horizonte mendimit.
Gjuha, si veshje e mendimit, e shkruar në gegnisht, është e bukur, e pasur dhe ka nje qartësi kristaline. Fjalët shndrisin, mpleksen në figura e tablo të pakrahasueshme. Poezia e Migjenit përjetohet si një melodi e zemrës, si një muzikë e shpirtit të thellë e të ndjeshëm. Me bukurinë e një stili krejt origjinal në letërsinë tonë, janë shkrirë ide madhore, si dëshmi përjetësie e pavdekësie. Ato ide e ideale të larta janë shprehur në çaste të ndritura të frymëzimit e të hovit poetik, jo rrallë, vullkanik.
Qëllimi i krijimtarisë së tij ishte ta nxirrte poezinë nga proza e jetës, duke shkaktuar një tronditje të shenjtë në shpirtrat tanë, me përshkrimin besnik të jetës, me portretin e përkryer të njeriut e të shoqërisë së kohës. Një ilustrim domethënës do të ishin “Fragment” dhe “Një refren i qytetit tem”. Migjeni ishte poet, si në “Vargjet e lira”, edhe në dilemat filozofike me patos grotesk, apo edhe në prozën e gjatë. Në tërësi vepra e tij mbetet përgjithnjë një testament i shkëlqyer për brezat.
Si një dëshmi e gjallë, e qartë dhe frymëzuese e aktualitetit të poezisë migjeniane, ishte kënga me vargjet e poezisë “Recital i malsorit”, kënduar me kitarë nga Ferit Amiti në protestën e fuqishme për një Shqipëri të Re, vërtet demokratike, pa klasën e vjetër politike. Grushta që ngrihen kundër “malit që hesht e në heshtje qesh”; kundër krimit të organizuar dhe kundër qeverisjes së korruptuar e të inkriminuar.
Një thirrje e fuqishme për ndryshim të situatës aktuale, shfaqet edhe në publikimet e satirave të sotme groteske e me frymë migjeniane. Është “dhimba krenare” e pensionistëve kundër politikanëvë të pasuruar me paratë e popullit dhe që shpërfillin kontributin e pensionistëve ndër dekada. Është një rizgjim premtues i brezit të ri, i cili mban gjallë shpresën dhe pa të cilin nuk ka të ardhme.
Është rinia që nuk pret trenin për në Rinas, të fluturojnë e të integrohet në Evropë, pa ndihmën e qeverisë; por të jetojë, të punojë e të kontribuojë këtu, në atdhe. Është rinia që kërkon meritokraci përkundër patronazhistëve. Është rinia që kërkon të jetojë me dinjitet në këtë vend me fshatra të bukur e të pasur, me mjaft resurse natyrore, por të braktisur. Është rinia që kërkon të punojë në uzina e fabrika, që sot mungojnë. Protesta ringjall besim dhe shpresë.





