Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me krimin e rëndë në familje në Lushnjë, ku një 45-vjeçar ka vrarë nënën e tij duke e goditur me sqepar, ndërsa ka plagosur rëndë babain.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur këtë të hënë rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë ku dyshohet se 45-vjeçari F. D., 45 vjeç, për motive ende të paqarta ka goditur me një send metalik prerës (sqepar) nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, e cila ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
45-vjeçari dyshohet se ka plagosur rëndë edhe babain e tij, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, F. D. është larguar nga banesa, ndërsa shërbimet e Policisë kanë nisur kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Sipas njoftimit zyrtar, 45-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.





