UEFA ka reaguar më në fund pas sjelljeve të përsëritura nga tifozët e Crvena Zvezdës. Thirrjet anti-shqiptare dhe kundër Kosovës janë dënuar me 50 mijë euro. Vendimet janë marrë pas ndeshjes së 20 gushtit në “play off” të Ligës së Europës. Sfidë që u fitua 3-0 nga Crvena Zvezda në Serbi.

Në total është një gjobë 99 mijë e 500 euro. Po ashtu Crvena Zvezda është vendosur në një periudhë prove prej dy vitesh, përndryshe rrezikon që t’i mbyllet një pjesë e stadiumit.

Vendimet e UEFA-s:

Të gjobitet FK Crvena zvezda me 20 000 euro për bllokimin e kalimeve për tifozët. Të gjobitet FK Crvena zvezda me 50 000 euro për transmetimin e mesazheve të papërshtatshme për një aktivitet sportiv. Të gjobitet FK Crvena zvezda me 9 500 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike. Të gjobitet FK Crvena zvezda me 20 000 euro dhe të urdhërohet mbyllja e pjesshme e stadiumit të FK Crvena zvezda-s (konkretisht, sektori 3 i tribunës së Veriut) gjatë ndeshjes së ardhshme të një kompeticioni të UEFA-s, në të cilën FK Crvena zvezda do të luajë si skuadër pritëse, për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve të saj. Kjo masë e mbylljes së pjesshme të stadiumit pezullohet për një periudhë prove prej dy (2) vitesh, duke nisur nga data e këtij vendimi.