Të paktën dy persona u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në një qytezë në veri të Francës, pasi një makinë përplasi një grup njerëzish.

Ngjarja ndodhi pranë stacionit hekurudhor të lokalitetit Kaen, ku sipas autoriteteve lokale, drejtuesi i mjetit vërshoi qëllimisht ndaj grupit të këmbësorëve.

Shoferi u arrestua pasi policia vendase ndërmori një operacion madhor për kapjen e tij në të gjithë rajonin e Normandisë.

Kryetari i Bashkisë së Kaenit, Aristide Olivier tha se hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet e veprimit të drejtuesit të mjetit.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklaruan se personi kishte pasur një debat dhe përleshje fizike me disa pjesëtarë të grupit të këmbësorëve përpara se të ndodhte incidenti.

“Për momentin nuk kemi të bëjmë me një sulm terrorist, por hetimi është vetëm në fillim”, deklaroi një zyrtar i sigurisë lokale.

I dyshuari, një 26-vjeçar i lindur në Rusi, u arrestua më vonë rreth 20 kilometra larg vendit të ngjarjes, në qytetin-port Uistreham, pasi makina e tij u gjurmua përmes kamerave të sigurisë.

Ai nuk ishte një person i njohur për shërbimet e inteligjencës dhe policia kishte dijeni vetëm për shkelje trafiku. Zyrtarët vendas shtuan se disa nga personat e plagosur po marrin trajtim të posaçëm në spital.