Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të sulmojë territorin e një vendi anëtar të NATO-s, duke minimizuar njëkohësisht raportet se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, kishte udhëtuar në Moskë për t’i përcjellë Rusisë një paralajmërim të tillë.
“Ai nuk do të sulmojë territorin e NATO-s”, u shpreh Trump të enjten para gazetarëve në Zyrën Ovale, duke shtuar se kishte zhvilluar biseda të mira me presidentin rus.
Komentet e Trump vijnë pas raportimeve të Wall Street Journal dhe CBS se Ratcliffe kishte udhëtuar të martën drejt Moskës, ku ishte takuar me homologët e tij rusë dhe dyshohet se kishte diskutuar mundësinë e një sulmi rus ndaj një vendi anëtar të NATO-s.
Më herët gjatë ditës, Trump i tha Axios se vizita e Ratcliffe nuk kishte për qëllim përcjelljen e ndonjë mesazhi specifik ndaj Moskës.
“Ratcliffe takon homologun e tij rus një herë në gjashtë muaj ose një herë në vit. Ata kanë një marrëdhënie shumë të mirë. Nuk kishte asnjë mesazh dhe nuk kishte asgjë të pazakontë”, deklaroi Trump.
Megjithatë, dy burime të njohura me çështjen i thanë Reuters se Ratcliffe e kishte ngritur gjatë takimit çështjen e mundësisë së një operacioni rus kundër një vendi anëtar të NATO-s. Nuk është e qartë nëse kjo ishte arsyeja kryesore e udhëtimit.
Sipas njërit prej burimeve, gjatë takimit janë diskutuar disa tema, përfshirë edhe mbështetjen e Rusisë për Iranin, e cila ka shkaktuar shqetësim te Shtetet e Bashkuara.
Kremlini i mohon raportimet
Kremlini i ka cilësuar më herët raportimet për një paralajmërim të tillë si “histori horror”, duke mohuar se vizita e Ratcliffe në Moskë kishte si qëllim të pengonte një sulm të mundshëm rus ndaj NATO-s.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë monitoruar prej kohësh aktivitetet ruse në zonën gri të konfliktit, përfshirë sabotazhe dhe operacione të tjera që synojnë dobësimin e unitetit të NATO-s dhe mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
Një zyrtar i lartë evropian tha në Bruksel se agjencitë evropiane të inteligjencës nuk kanë aktualisht ndonjë tregues për një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak rus ndaj një vendi evropian anëtar të NATO-s.
“Agjencitë evropiane nuk shohin ndonjë rrezik të një sulmi rus ndaj vendeve evropiane”, deklaroi zyrtari, në kushte anonimiteti.
Në muajt e fundit, inteligjenca perëndimore ka shqyrtuar gjithashtu mundësinë e operacioneve me flamur të rremë, përfshirë përdorimin e dronëve ukrainas për sulme në Evropën Lindore ose Veriore, me synimin për të fshehur përfshirjen e drejtpërdrejtë të Moskës.





