Mes katastrofës shkatërruese që goditi Nepalin dhe Tibetin, historia e një 94-vjeçareje është kthyer në simbol të mbijetesës.

Gunakeshari Bohara, e moshuar që jetonte në një azil pleqsh në distriktin Rasuwa, në veri të Nepalit, u gjet e gjallë pasi ishte mbuluar nga balta dhe rrëketë e fuqishme të ujit që zbritën nga malet.

Pamjet e shpëtimit të saj janë bërë virale në mediat dhe rrjetet sociale. Në video, një ekskavator përpiqet të kalojë përmes baltës, ndërsa dy shpëtimtarë mbajnë 94-vjeçaren në kovën e mjetit. E mbuluar tërësisht me baltë dhe me rrobat e lagura, ajo duket e tronditur dhe e pafuqishme.

Një prej shpëtimtarëve e mbështjell më pas me një batanije, ndërsa gruaja e moshuar e sheh atë me një vështrim të habitur, në një moment që ka prekur mijëra njerëz.

Bohara ishte e vetmja e mbijetuar mes banorëve dhe stafit të azilit, i cili u shkatërrua nga rrjedha e ujit dhe baltës. Për ta nxjerrë nga toka, ekipet ushtarake u detyruan të përdornin një ekskavator.

Pas shpëtimit, 94-vjeçarja u dërgua në një qendër traume në Katmandu. Mjekët konstatuan se ajo vuante nga demenca dhe, për shkak të tronditjes së madhe, nuk ishte në gjendje të tregonte emrin e saj apo të shpjegonte se çfarë kishte ndodhur.

Identiteti i saj u zbulua më vonë, pasi një i afërm e njohu mes pacientëve të shtruar në spital.

Sipas mjekëve, Bohara po rikuperohet mirë. Në pamjet e fundit të publikuara nga mediat ndërkombëtare, ajo shihet e shtrirë në një shtrat spitali, e mbështjellë me një batanije.

“Pacientja nuk mund të shpjegojë se si mbijetoi. Të gjithë të tjerët në shtëpi kanë vdekur. Ndoshta nuk do ta dimë kurrë se çfarë ka ndodhur. Është një mrekulli”, tha një prej mjekëve për The Times.

Historia e 94-vjeçares ka ringjallur shpresat e familjarëve që vijojnë të kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur pas katastrofës.