Shqipëria do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme, ndërsa moti do të jetë përgjithësisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit.

Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë ditës do të ketë edhe alternime vranësirash mesatare, të cilat herë pas here do të bëhen më të dendura në relievet kodrinore dhe malore.

Në zonat kodrinore dhe malore në lindje të vendit, vranësirat e dendura pritet të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët. Reshjet parashikohet të shfaqen kryesisht nga orët e mesditës deri në pasdite.

Po ashtu pritet të ketë prezencë të lartë të grimcave të pluhurit dhe rërës në ajër.

Sa i përket erës, ajo do të fryjë me drejtim nga veriperëndimi në jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 3 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era do të forcohet herë pas here, duke arritur shpejtësi deri në 7 m/s.

Edhe kushtet në det parashikohen të jenë përgjithësisht të qeta, me valëzim të forcës 1-2 ballë.