Fermerët e shpallur fitues në fazën e parë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi kanë kohë deri më 11 shtator për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka shtyrë afatin për aplikantët, duke u dhënë më shumë kohë për plotësimin e dokumenteve dhe verifikimin e kushteve.

Fermerët që nuk plotësojnë dokumentacionin brenda afatit të ri rrezikojnë skualifikimin nga skema. Interesi këtë vit ka qenë i lartë. Në total janë regjistruar 42,730 aplikime, me një vlerë kërkesash prej 7.2 miliardë lekësh, ndërsa fondi në dispozicion është 5.2 miliardë lekë. Fieri kryeson për numrin e aplikimeve, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora.

Më të kërkuarat kanë qenë masat për tufën e të imtave, me 7,240 aplikime, bletarinë me 7,000 dhe tufën e gjedhit me 6,730 aplikime.

Skema e këtij viti përfshin 12 masa mbështetëse, që synojnë uljen e kostove të prodhimit, rritjen e cilësisë dhe modernizimin e bujqësisë.