Firma e hedhur nga Erion Veliaj duke shkarkuar nga detyra Anuela Ristanin ngriti disa pikëyetje.

Si Veliaj do të ushtrojë mandatin nga paraburgimi dhe më kryesorja si do të drejtohet Tirana?

Pas ditësh debati për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, nga pala e Erion Veliajt vjen një qëndrim i prerë: kryetari i bashkisë synon të ushtrojë kompetencat e tij edhe nga paraburgimi.


Avokati i Veliajt Plarent Ndreca i tha Top Channel se revokimi i kompetencave të Anuela Ristanit nuk krijon vakancë në drejtimin e bashkisë. Sipas tij, kompetencat i janë rikthyer Erion Veliajt, i cili vijon të jetë ligjërisht kryetar i Tiranës.

“Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Erion Veliaj është Kryetari legjitim i Tiranës dhe ka kërkuar që, në vlerësimin e masës së sigurimit, të merret në konsideratë edhe mandati i tij si Kryetar. Z. Veliaj do të ushtrojë çdo kompetencë që ligji i njeh dhe do të kërkojë që t’i krijohen kushtet praktike për komunikimin me administratën dhe drejtimin e qytetit. Nëse shteti e njeh Erion Veliajn si Kryetar, duhet t’i mundësojë edhe ushtrimin efektiv të mandatit”, u shpreh avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca.

Por ky qëndrim përballet me një pengesë konkrete: si do të drejtohet bashkia më e madhe në vend nga një kryetar që ndodhet në paraburgim?
Pala e Veliajt thotë se ai do të ushtrojë çdo kompetencë që i njeh ligji dhe do të kërkojë krijimin e kushteve për komunikimin me administratën dhe marrjen e vendimeve.

Çështja tashmë është shtruar edhe në planin praktik.

Në Bashkinë e Tiranës ka vendime dhe akte që kërkojnë firmën e kryetarit. Avokati i Veliajt ishte sot në institucion për të identifikuar vendimet më urgjente dhe për të diskutuar mënyrën se si mund të procedohen dokumentet që kërkojnë firmën e tij.

Ndërkohë, avokati përmendi pastrimin, furnizimin me ujë, shërbimet publike dhe realizimin e investimeve. Këto janë pretendime të mbrojtjes, të cilat Top Channel po i verifikon përmes të dhënave dhe institucioneve përgjegjëse.

“Kryetari ka shqetësime reale për mënyrën se si është administruar qyteti gjatë mungesës së tij të detyruar. Tirana sot është më e pistë, ka më pak ujë dhe më pak shërbime, që nga largimi i tij nga detyra nuk është hapur asnjë shkollë apo çerdhe e re, ndërsa realizimi i investimeve është në një gjendje jashtëzakonisht shqetësuese. Pra, problemi nuk është vetëm se ushtrimi i kompetencave të deleguara është shkëputur gradualisht nga autoriteti i Kryetarit, problemi është se ndërkohë edhe administrimi i qytetit është përkeqësuar ndjeshëm”, tha Ndreca.

Në këtë situatë mbetet edhe një pikë politike.

Avokati thotë se për vendimin ndaj Anuela Ristanit nuk ka pasur komunikim personal mes Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Sipas tij, qëndrimi i qeverisë nënkupton njohjen e autoritetit të kryetarit të zgjedhur.

“Qeveria deklaroi publikisht, Kryetar i Bashkisë së Tiranës është Erion Veliaj dhe këto vendimmarrje i përkasin atij. Nuk kam asnjë arsye ta interpretoj ushtrimin e një kompetence ligjore të Kryetarit si sfidë ndaj Kryeministrit. Përkundrazi, më duket pozitiv fakti që sot ekziston një qëndrim institucional i qartë i Qeverisë shqiptare se kush është Kryetari dhe kujt i përkasin kompetencat e këtij funksioni. Sa u përket komunikimeve personale ndërmjet z. Veliaj dhe Kryeministrit, nuk ka asnjë komunikim të tillë”, u shpreh avokati.

Kryeministri ka deklaruar se Erion Veliaj është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe se situata aktuale është e papranueshme. Nga ana tjetër, Veliaj, përmes mbrojtjes së tij, thotë se do ta ushtrojë mandatin.

Tashmë pyetja kryesore është se si do të zbatohet kjo në praktikë.

Nëse Erion Veliaj vijon të njihet si kryetar, por kushtet e paraburgimit kufizojnë komunikimin dhe firmosjen e akteve, Bashkia e Tiranës përballet me një problem konkret funksionimi.

Përgjigjja pritet të përcaktojë se kush do të marrë vendimet, kush do të firmosë aktet dhe si do të vijojë administrimi i qytetit.