Zjarri që shpërtheu në një fabrikë polake të prodhimit të dronëve dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga sabotimi.

Ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwinski, deklaroi të martën se të dhënat e para të hetimit çojnë në këtë pistë.

“Gjithçka tregon për një akt sabotimi”, u tha Kierwinski gazetarëve.

Prokurorët polakë njoftuan të hënën se kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse shërbime të huaja inteligjence mund të kenë qenë të përfshira në vënien e qëllimshme të zjarrit.

Zjarri shpërtheu në orët e para të së hënës, në një ndërtesë me ambiente prodhimi në Skarzysko-Kamienna, në pronësi të prodhuesit polak të dronëve WB Electronics. Dëmet materiale nga incidenti vlerësohen në rreth 15 milionë zloty, ose afërsisht 3.5 milionë euro.

Dronët e prodhuar nga kompania përdoren edhe nga ushtria ukrainase.

Autoritetet polake po hetojnë tashmë nëse zjarri lidhet me një akt të qëllimshëm, ndërsa dyshimet për përfshirjen e shërbimeve të huaja të inteligjencës mbeten pjesë e hetimit.

Vendet evropiane kanë akuzuar më herët Rusinë për qëndrimin pas një serie incidentesh të dyshuara sabotimi në Evropë. Moska i ka mohuar këto akuza.