Nexhmedin Danaj, 57 vjeç, është arrestuar provizorisht në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të hetimeve për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Policia e Shtetit bëri të ditur se arrestimi u krye në bashkëpunim me homologët e Interpol Abu Dhabit, gjatë një tjetër faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Danaj ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill 2026, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Emri i Danajt kishte dalë në kuadër të operacionit “Ura”, të zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane kundër grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave.

Sipas hetimeve, 57-vjeçari dyshohet se, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, ai dyshohet se ka luajtur rol në lëvizjen dhe pastrimin e parave që dyshohet se rridhnin nga trafiku i kokainës. Sipas të dhënave të hetimit, një pjesë e këtyre parave dyshohet se janë transferuar drejt Dubait përmes një kompanie me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Hetuesit dyshojnë se Danaj ka përdorur edhe metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave me vlera të konsiderueshme në disa shtete, me qëllim blerjen e lëndëve narkotike.

Hetimet e zhvilluara gjatë viteve 2020–2025 dokumentuan 40 episode të trafikimit të narkotikëve. Operacioni “Ura” çoi në vendosjen e 52 masave të sigurisë në Shqipëri dhe Itali, ndërsa gjatë tij u sekuestruan pasuri, automjete dhe kompani që dyshohet se ishin të lidhura me aktivitetin kriminal.

Pas arrestimit në Dubai, vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit për përfundimin e procedurave ligjore që do të mundësojnë ekstradimin e Nexhmedin Danajt në Shqipëri.