Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka kërkuar ndalimin dhe anulimin e projektit TID Durrës, duke e lidhur kërkesën me ndryshimin e fundit të situatës juridike dhe urbanistike në zonën ku shtrihet projekti.

Zhupa thekson se më 30 korrik 2026 qeveria shfuqizoi VKM-në që kishte shpallur një pjesë të Durrësit “Zonë të Re për Zhvillim”, ndërsa rreth 20 nga 74 pronat e prekura nga TID ndodhen në territorin ku mbivendoseshin instrumentet e planifikimit.

Sipas Zhupës, shfuqizimi i aktit nuk nënkupton automatikisht anulimin e TID-it, por krijon detyrimin për të rishikuar bazën juridike dhe urbanistike të projektit dhe për të pezulluar çdo veprim mbi pronat e banorëve deri në sqarimin e plotë të situatës. Ajo kërkon gjithashtu një proces të ri, transparent dhe të ligjshëm konsultimi me qytetarët, duke argumentuar se zhvillimi urban nuk mund të bëhet në cenim të të drejtave të pronarëve.