Gazetari Osman Stafa komentoi edhe situatën e tensionuar që u krijua përpara Komisariatit nr 3 në Tiranë, ku policia shoqëroi personat e arrestuar gjatë protestës së mbajtur një ditë më parë përpara Kryeministrisë.

Në pamjet e publikuara, shihej një i mitur që shpërthen në lot, i frikësuar nga situata e krijuar pranë komisariatit.

Gazetari theksoi se agresiviteti i policisë ishte i pajustifikueshëm pasi protestuesit nuk po shkaktonin akte dhune, ndërsa fëmija u terrorizua nga ajo që pa.

Sipas tij, e ëma e të miturit u revoltua nga situata, ndërsa shtoi se policia po përdoret nga politika për problemet e tyre.

“Nuk e kuptova ka pasur një lloj agresiviteti të policisë përtej teksa protestuesit nuk po rrezikonin një personalitet apo gjuanin me vezë apo domate. Ishin në komisariatin nr 3 për të kërkuar lirimin e personave të arrestuar. Nuk pati asnjë tentativë të tyre për të bërë akte dhune. Po protestonin dhe policia hyn përpara.

Kishte njerëz të tjerë. Nuk e kam të qartë nëse ishte pjesë e protestës, por fëmija ishte terrorizuar nga ajo që kishte parë dhe nëna ishte revoltuar për situatën. Mua më vjen keq për përdorimin që iu bëhet punonjësve të policisë.”, tha ai.