Lodhja dhe marramendja te vajzat përpara menstruacioneve të para mund të jenë shenja që në të ardhmen ato mund të përballen me menstruacione të dhimbshme.
Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “The Lancet Child & Adolescent Health”.Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 2 mijë adoleshenteve dhe zbuluan se simptoma si lodhja, marramendja, problemet me stomakun, makthet dhe ndryshimet në shqisa mund të lidhen me shfaqjen e dhimbjeve menstruale në vitet që pasojnë.Edhe zhvillimi më i avancuar i pubertetit në moshën 9 deri në 10 vjeç rezultoi një tregues i rëndësishëm.
Dhimbjet menstruale janë shumë të zakonshme gjatë adoleshencës. Sipas studimeve të mëparshme, rreth 70 për qind e vajzave adoleshente i përjetojnë ato.Në rreth 20 për qind të rasteve, dhimbjet janë aq të forta sa ndikojnë në aktivitetet e përditshme.
Studimi tregon gjithashtu se problemet me gjumin përpara menstruacioneve të para lidhen me një ndikim më të madh të dhimbjes në jetën e përditshme.Studiuesit thonë se identifikimi i këtyre shenjave që në moshë të hershme mund të ndihmojë në ndërhyrjen dhe trajtimin më të shpejtë, përpara se dhimbjet menstruale të bëhen një problem afatgjatë.





