Një sasi e vogël lënde plasëse ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në derën e një banese në Vorë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:15, në rrugën “Fusha e Sportit”, ku lënda plasëse ishte vendosur në derën e banesës së shtetasit F. Sh.

Si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme të lehta materiale. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Hetimet janë përqendruar edhe në identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.