Avokatët ndërkombëtarë të kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kanë bërë kërkesë në SPAK për ta takuar atë në paraburgimin e Durrësit.

Kërkesa në SPAK e avokatëve lidhet me finalizimin e aplikimit të Veliajt për në GJEDNJ. Avokatët kanë bërë kërkesë për të takuar Veliajn në datën 10 shtator, pasi ai duhet që të firmosë apelin për Strasburg.

Veliaj kërkon të çojë çështjen e arrestimit të tij në Strasburg, pas dy betejave të fituara në Gjykatën Kushtetuese.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator, ora 09:30, për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas rikthimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja vendosi t’ia rikthejë Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë ndaj Veliajt, duke argumentuar se duhet të jepen arsye më të qarta se përse nuk është e përshtatshme aplikimi i një mase tjetër më të butë, përveç arrestit në burg.

Procesi gjyqësor ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa të pandehurve të tjerë ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit të themelit.

Veliaj është i vetmi person në këtë proces ndaj të cilit vijon masa e sigurisë “arrest në burg”.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij akuza për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të paligjshme në qeli.

Rishqyrtimi nga Gjykata e Lartë do të përcaktojë nëse masa aktuale e sigurisë do të mbetet në fuqi apo nëse do të zëvendësohet me një masë tjetër.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ndodhet me masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025.