Në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit afro 50 përqind e kuotave të përcaktuara për studentët e vitit të parë janë plotësuar deri në përfundim të fazës së katërt të raundit të parë të regjistrimeve.
Deri më tani janë regjistruar 1111 studentë në 5 fakultetet e këtij unvesrsiteti, ndërsa asnjë nga programet e studimit nuk rrezikon mbylljen.
Rektori i UAMD-së, Shkëlqim Fortuzi, thotë se deri në përfundim të fazës së parë të regjistrimeve pritshmëritë janë për rreth 1300 studentë të regjistruar.
Në total, UAMD ka 2700 kuota të përcaktuara për ciklin e parë të studimeve dhe pas mbylljes së procesit të regjistrimit, kjo shifër pritet të përmbushet në rreth 70% të saj.
Në përfundim të fazës së katërt të regjistrimeve, infermieria rezulton programi i studimit, që thuajse i ka plotësuar të gjitha kuotat.
Ajo që cilësohet si risi këtë vit është interesi në rritje i studentëve të huaj që kërkojnë të kryejnë studimet në universitetin “Aleksandër Mosiu”.
Rektori Fortuzi bëri të ditur se deri tani kanë aplikuar afro 700 studentë nga vende të ndryshme të botës, duke kaluar të gjitha fazat e procedurave që ndiqen në këto raste, ndërsa për momentin, 67 prej tyre janë duke u pajisur me vizë nga ambasadatat tona.
E ndërsa regjistrimet do të vazhdojnë edhe në javët e tjera të shtatorit, deri më tani programe studimi si Mësues për arsimin fillor, Gjuhë angleze, Financë kontabilitet, Administrim biznesi, Informatikë matematike, Shkenca ekonomike rezultojnë ndër më të preferuarat nga studentët që regjistrohen në vit të parë.
M.B.





