Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka reaguar sot lidhur me raportimet për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë.
Nufi ka mohuar që dy efektivët të jenë truproja personalë të tij, duke sqaruar se ata janë pjesë e Policisë Ushtarake.
Sipas ministrit, efektivët kanë kryer në periudha të ndryshme edhe detyra të sigurisë dhe shoqërimit institucional, por nuk kanë qenë në shërbim ditën e ngjarjes. Ai thekson se çdo veprim i tyre, nëse konfirmohet nga autoritetet, është individual dhe jashtë detyrës institucionale.
Për këtë arsye, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi deri në përfundimin e verifikimeve. Ministria e Mbrojtjes, sipas Nufit, distancohet nga çdo veprim i paligjshëm dhe thotë se përgjegjësia do të përcaktohet vetëm nga organet kompetente.
Postimi i ministrit të Brendshëm Ermal Nufi
Qëndrimi i Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi në lidhje me ngjarjen e djeshme në Vlorë dhe raportimet e disa portaleve mbi përfshirjen e “dy truprojave të tij”
“Në lidhje me raportimet e disa portaleve për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj opinionin publik se këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë.
Ata janë pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.
Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe në periudha të ndryshme prej vitit 2018, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.
Dua të theksoj gjithashtu se asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë.
Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.
Ministria e Mbrojtjes distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese. Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin.
Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake. Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor.
Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.”





