Edi Kuçi ka dëshmuar sot në polici lidhur me përleshjen fizike që ka pasur me këngëtarin Jozefin Marku.
Lajmi është konfirmuar për mediat e Kosovës nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, i cili bëri të ditur se intervistimi është kryer në prani të prokurorit.
“Po mund ta konfirmoj që është intervistuar sot në polici në prani të prokurorit”, ka deklaruar Nikqi.
Ngjarja lidhet me përleshjen mes Kuçit dhe Markut në Tiranë, pamjet e së cilës janë publikuar së fundmi në rrjetet sociale. Në videon e plotë, Kuçi shihet duke u ndaluar në rrugë përmes një tabele false me mbishkrimin “Stop”, ndërsa më pas përballet me Markun dhe sulmohet fizikisht.
Gjatë pamjeve dëgjohet Marku duke e pyetur Kuçin “Pse m’ke shajt? Shaje Gjesti, shaje Gjestin”, ndërsa vijon ta godasë. Në fund të incidentit, ai i kërkon Kuçit të ulet në gjunjë dhe t’i kërkojë falje.
Pas publikimit të videos, Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj Jozefin Markut, shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” ndaj shtetasit kosovar Eduard Kuçi, iniciale që i referohen Edi Kuçit.
Prokuroria ka autorizuar gjithashtu Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, ndërmarrjen e veprimeve ligjore dhe vendosjen e Markut në “stop-listë”.
Sipas autoriteteve kosovare, çështja po trajtohet në bazë të dispozitave të nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, intervistimi i Edi Kuçit në prani të prokurorit përbën një tjetër hap në procedurën hetimore lidhur me incidentin.





