Disa punonjës të pastrimit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale janë mbledhur ditën e sotme para Bashkisë Durrës, duke kërkuar sqarime për uljen e pagave dhe mbajtjen e një pjese të pagës mujore.
Punonjësit pretendojnë se nga pagat e tyre janë mbajtur shuma që variojnë nga 30 deri në 70 mijë lekë të vjetra. Ata kanë kërkuar të dinë arsyet e këtyre ndryshimeve, ndërsa disa prej tyre kanë ngritur dyshime edhe për mënyrën e menaxhimit nga drejtori i ri i ndërmarrjes.
Një prej punonjëseve ka pretenduar gjithashtu se drejtori i ri i ka ushtruar presion dhe i ka kërcënuar.
Në përgjigje të pretendimeve, Bashkia Durrës ka bërë publike një sqarim mbi mënyrën e përllogaritjes së pagave të punonjësve të pastrimit.
Sipas Bashkisë, paga bruto përbëhet nga paga bazë, vjetërsia në punë dhe shtesat për kushtet e punës. Punonjësit përfitojnë gjithashtu pagesa shtesë për punën gjatë natës, ditëve të pushimit dhe festave zyrtare.
Për këtë arsye, Bashkia argumenton se paga mujore mund të ndryshojë në varësi të numrit të orëve të punuara në turnet e natës, ditët e pushimit dhe festat zyrtare, si dhe organizimit të punës me turne.
Bashkia thotë se këtë sqarim ua ka bërë edhe punonjësve që kanë ngritur pretendime lidhur me pagat.
Sqarimi i plotë i bashkisë:
Në vijim të pretendimeve të bëra publike nga disa punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale për mënyrën e përllogaritjes së pagave të tyre, Bashkia Durrës dëshiron të bëjë një sqarim të qartë për opinionin publik:
Përllogaritja e pagave të punonjësve të pastrimit të NSHK kryhet në bazë akteve ligjore në fuqi dhe pagat e tyre janë të miratuara me Vendim të Këshillit Bashkiak nr.17, datë 02.04.2026 “ Për miratimin e nivelit të pagave për punonjësit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi të Bashkisë Durrës.”.
Paga bruto e një punonjësi pastrimi përbëhet nga këta elementë: paga bazë, vjetërsia në punë dhe shtesa për kushte pune. Gjithashtu theksojmë se këta punonjës përfitojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Punës në lidhje me punën që realizohet gjatë orëve të natës, ditëve të pushimit dhe gjatë ditëve të festave zyrtare. Duke u nisur nga të gjithë këta elementë theksojmë se paga e këtyre punonjësve nuk është e njëjtë përgjatë 12 muajve të vitit.
Pra, ndryshimet mujore në pagë lidhen numrin e orëve të punës në turne nate, në ditë pushimi javore, në ditë festash zyrtare si dhe me organizimin e punës me turne.
Për këtë arsye punonjësit me të njëjtën pagë bazë dhe të njëjtën vjetërsi mund të kenë përfitime mujore të ndryshme, nëse kanë kryer numër të ndryshëm orësh në këto periudha.
Bashkia e Durrësit ka sqaruar për sa më sipër të gjithë punonjësit që janë ankuar në lidhje me këtë pretendim.





