Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar në nisjen e sesionit të ri parlamentar se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare sa i përket procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Balla tha se grupi parlamentar socialist do të organizojë marrëdhënien me qytetarët përmes “Besës” dhe “Pranisë Besnike”.

“Ne, si grup parlamentar, hyjmë në këtë sesion në një mënyrë të re të organizimit të marrëdhënies sonë me njerëzit, përmes “Besës” dhe “Pranisë Besnike”. Ky është një sesion me një peshë të madhe përgjegjësie për detyrat që ka ky institucion drejtues në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Shqipëria ka hyrë në fazën vendimtare të negociatave. Objektivi ynë politik është i qartë: mbyllja e negociatave teknike deri në vitin 2030 dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade, pra deri në vitin 2030.Ky është një objektiv kombëtar.”, tha ai.