Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për incidentin e ndodhur para Kuvendit, ku deputetja socialiste Iris Luarasi u përball me disa protestuese.

Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga momenti i përplasjes verbale ndaj deputetes, ndërsa krahas videos ka shkruar: “Çfarë mjerimi mendor!”.

Reagimi i Kryeministrit vjen pas deklaratave të Luarasit, e cila më herët foli për incidentin dhe tha se ishte përballur me sharje dhe fyerje nga disa vajza të reja, të cilat e akuzuan se nuk mbronte gratë.

“Më thërritën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoj të m’i vjedhë askush”, u shpreh Luarasi, duke e cilësuar situatën si dhunë verbale.

Deputetja tha gjithashtu se e konsideronte ironike që ishte akuzuar se nuk mbronte gratë, ndërkohë që po dhunohej verbalisht një grua.

Incidenti ndodhi gjatë protestës së zhvilluar sot pranë Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.