Është ora 23:00 e mbrëmjes së hënë, por qindra njerëz u mblodhën sërish përpara Kryeministrisë pas katër orëve protestë në ditën e 100-të jubilare të “Revolucionit të Flamingove” në Tiranë. Në protestën më të gjatë të tranzicionit shqiptar, mijëra qytetarë kërkojnë prej 3 muajsh dorëheqjen e qeverisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshime thelbësore në mënyrën se si po drejtohet vendi.
Disa gogësijnë të lodhur e gati për gjumë, ndërsa të tjerë, më energjikë, vazhdojnë të këndojnë. Një grup i tretë është angazhuar në biseda negociuese, në një përpjekje për të shuar fërkimet dhe konfliktet mes rrymave me bindje dhe ideologji të ndryshme.
“Këtu janë të gjithë: ka komunistë, ka ambientalistë, ka nacionalistë, ka ekstremistë të djathtë, por duhet të qëndrojmë bashkë derisa ta rrëzojmë atë,” thotë me zë të lartë një i ri.
I njëjti debat bëhet edhe diku më poshtë në bulevard, ndërsa ka përfshirë prej kohësh edhe rrjetet sociale ku protestuesit mblidhen dhe organizohen.
“Pavarësisht provokimeve, tensioneve, sulmeve fizike, protesta mbetet e hareshme,” thotë duke qeshur Bora Mema, anëtare e Lëvizjes Bashkë, një prej atyre që mbajnë në qafë një medalje simbolike për pjesëmarrje të pandalshme në protestë prej mbi 3 muajsh.
“Revolucioni i Flamingove’ nisi në fund të majit si një revoltë spontane ndaj planeve të qeverisë për të ndërtuar një resort luksoz në zonën e mbrojtur pranë Zvërnecit – i lidhur me familjarët e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump – por u shndërrua shpejt në një protestë maratonë anti-qeveritare.
Por përtej rezistencës së gjatë, pikëpyetje ngrihen mbi mundësinë e shndërrimit të saj në një lëvizje përballë një qeverie që, përtej retorikës, duket se ka bërë një vesh shurdh.
Shkrimtari Fatos Lubonja, i cili mban në dorë një flamingo prej shkume deti të mbështjellë me kufiya—shallin simbol të Palestinës—është i shqetësuar pikërisht për këtë. Ai thekson se përpjekja për të ndryshuar mënyrën se si qeveriset vendi mund të zgjasë me vite dhe se protesta e përditshme duhet shndërruar në një lëvizje.
“Ky është regjim, nuk është demokraci dhe në këto kushte, protesta ka filluar të ketë vështirësitë e veta,” tha Lubonja për BIRN.
“Përballja me një regjim nënkupton ndërtimin një lëvizjeje, e cila ndërton institucione dhe mendon për një kohë të gjatë, apo jo?” shton ai.
Ndjesia e përkatësisë

Të hënën protesta filloi si zakonisht në sheshin “Skënderbej”, ku një grusht njerëzish, të rinj e të moshuar me banderola dhe megafonë, u mblodhën aty për disa minuta. Nisja drejt Kryeministrisë nuk është aq impresionuese sa marshimet e ditëve të para të qershorit, por njerëzit vazhdojnë të bashkohen përpara Kryeministrisë.
Kur aktivistët thërrasin për të rrethuar kryeministrinë me një zinxhir njerëzor, është e qartë që në shesh ka më shumë se 2 mijë persona, aq sa duhet për të formuar më shumë se 500 metra perimetër të ngjeshur, ku protestuesit thërrasin në kor: “Rama, jepe dorëheqjen”.
Përpos rrethimit simbolik të kryeministrisë, një stende me vizatime fëmijësh për natyrën, fishekzjarrëve dhe daulleve, protesta e 100 nuk ndryshon shumë nga të tjerat e zhvilluara këtu ditë për ditë. Për orë të tëra grupe të ndryshme dhe qendra të ndryshme qëndrojnë në shesh me koret e veta, banderolat e veta thuajse pa u përzier me njëra-tjetrën.
Fonia, një podium i vogël që përdoret për fjalime rastësore dhe që ka qenë temë e debateve në rrjete sociale, mbledh një pjesë të mirë të protestuesve, por një shumicë që qëndron në shesh prej muajsh nuk duket se përzihet me të dhe as u kushton vëmendje fjalimeve.
Marshimi, një prej simboleve të protestës, është po ashtu i pandryshuar. Megjithatë, në përpjekje për të shuar tensionet dhe për të mbajtur të bashkuar protestuesit, në krye të tij vendosen vajza dhe gra që duket se vijnë nga grupime të ndryshme.
Të hënën, protestuesit vendosën simbolikisht ta drejtojnë marshimin drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, aty ku u thirr protesta e parë më 31 maj. Në rrugë njerëzit ndalojnë të filmojnë, të tjerë dalin të duartrokasin dhe një kamerier i një prej bareve të bllokut e lë punën dhe del të valëvisë një flamur për protestuesit. Shoferët, pavarësisht trafikut të krijuar, mbeten bashkëpunues: asnjë bori e tensionuar, asnjë zë nervoz.
Për shumë protesta është tashmë një normalitet në qytet. Por askush nuk duket se ka harruar se pse filloi.
Megi, një vajzë 26 vjeçare, është ndër të pakëtat punonjëse të administratës që vazhdon të protestojë që prej ditës së parë, kur u zemërua nga akti i tërheqjes së një protestuesi nga rojet e një kompanie private.
“Normalisht që me kalimin e ditëve, unë kuptova se kjo është diçka më e thellë, është diçka që prek identitetin, që nuk është vetëm për mjedisin, por është dhe për drejtësinë e mjedisit dhe në të njëjtën kohë prek çdo realitet tjetër shoqëror,” thotë ajo.
E reja tregon se edhe në zyrat e shtetit ku punon, protesta ka përkrahje dhe ironikisht edhe ata që janë kundër saj, janë në një krah duke bërë plane se si të largohen nga vendi. Ajo thotë se kurrë nuk e kishte pritur që të zgjaste kaq shumë.
“Nuk do e prisja që të zgjaste dy ditë, jo më të zgjaste 100 ditë po ja ku jemi pas 100 ditëve”, thotë ajo.
Për të dhe shumë të tjerë, protesta ka krijuar ndjesinë e të qenit pjesë e një lëvizjeje më të madhe – ndjesinë e përkatësisë.
“Unë kam kuptuar që vërtet kam njerëz me vete, domethënë nuk jam e vetme edhe kemi një rezistencë dhe një durim dhe një qëndrueshmëri të paimagjinueshme,” tha ajo.
Sfida për të ardhmen

Vijimi pa ndalim i protestës duke e bërë atë të paprecedentë është për shumë aktivistë një arritje e jashtëzakonshme. Megjithatë, ekziston një sfidë numrash dhe aktivistët janë të ndërgjegjshëm për këtë.
“Gjëja më e rëndësishme është që protesta vazhdon. Qoftë edhe taktikisht është e rëndësishme që të kesh çdo ditë në të njëjtën orë një grup në protestë,” thotë aktivistja Arilda Lleshi, e cila megjithatë pranon se numrat në gusht ranë dhe se tani do duhet të mendohet se si qytetarët të rikthehen në shesh.
Lleshi thotë se rigjallërimi i protestës do të sfumonte edhe protagonizmin e grupimeve ekstremiste – “Nazi Wannabe” i quan ajo.
Për shumë aktivistë të tjerë, sfida tani e tejkalon rekordin e ditëve dhe atë të pjesëmarrjes. Shkrimtari Fatos Lubonja thotë se është e domosdoshme që protesta të organizohet në një lëvizje, e cila duhet të mendojë se përpjekja për ndryshim mund të zgjasë edhe për disa vite.
Kritik për çfarë ka ndodhur, Lubonja thotë se nuk sheh të ketë një përpjekje serioze mes grupeve të ndryshme për të dialoguar dhe për të dalë me plane që rivalizojnë qeverinë dhe që paraqesin një alternativë më të mirë për vendin.
“Pra, të bëhej ky dialog midis grupeve. Dhe njëkohësisht një gjë shumë e rëndësishme, jo vetëm denoncimi, urrejtja, burg, burg, burg ndaj regjimit, të gjitha këto që janë pjesë e natyrës njerëzore, por edhe ndërtimi i një vizioni se si e duam Shqipërinë”, tha ai.
Për Lubonjën, protesta duhet tashmë të jetë në gjendje të prodhojë projekte alternative me ato të qeverisë, çka sipas tij çalon në këtë pikë.
Por përtej kësaj, Lubonja mbetet optimist.
“Edhe në këto kushte, unë shoh që përsëri ka një common sense të një shumice që ka ardhur këtu 100 ditë, që s’do t’i humbasë këto 100 ditë, që do të vazhdojë, dhe që kërkon dialogun dhe bashkëpunimin e të gjithëve që mundet të funksionojë,” përfundoi ai./ BIRN





