Trupi i pajetë i një shqiptari u gjet në ujërat e lumit Tergola në provincën e Padovës një ditë më parë, ndërsa viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti, 35 vjeç.
Hoti u gjet të martën, më 8 shtator, i futur në një qese të zezë në pjesën e pasme të një automjeti tip “Fiat Bravo”, i cili kishte përfunduar në ujërat e lumit.
Ekzaminimet e para mjeko-ligjore kanë konfirmuar se 35-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri, ndërsa duart i ishin lidhur.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një ekzekutim dhe pista kryesore e hetimit lidhet me një larje hesapesh të mundshme të lidhur me trafikun e drogës.
Hetimet po kryhen nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Padovës, në bashkëpunim me Kompaninë e Cittadella-s. Çështja po koordinohet nga prokurorja publike Claudia Brunino.
Identifikimi i viktimës shënon një moment të rëndësishëm në hetim, i cili tashmë është përqendruar në rindërtimin e lëvizjeve të fundit të Hotit, njohjeve të tij dhe personave me të cilët ai ka pasur kontakte në orët para vdekjes.
Ekzaminimet fillestare mjeko-ligjore kanë konfirmuar natyrën e dhunshme të vdekjes. Dyshohet se Hoti është qëlluar nga afër. Kur trupi i tij përfundoi në lumin Tergola, ai ishte tashmë i vdekur.
Trupi dyshohet se ka qëndruar i zhytur për disa orë. Megjithatë, pritet që autopsia të japë të dhëna më të sakta për kohën e vdekjes dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja.
Një nga pyetjet kryesore të hetimit lidhet me vendndodhjen ku u hodh automjeti. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse personat që e çuan “Fiat Bravo”-n në lumin Tergola e njihnin zonën apo kanë mbërritur aty rastësisht.
Automjeti u fundos pranë një dige, ku niveli i ujit ishte aq i lartë sa e mbuloi pothuajse tërësisht. Megjithatë, zona ka një rrethrrotullim pranë saj, përshkohet nga një arterie e rëndësishme rrugore, është e ndriçuar edhe gjatë natës dhe monitorohet nga disa kamera sigurie.
Pikërisht pamjet e kamerave mund të jenë një prej provave më të rëndësishme për hetimin.
Karabinierët po përpiqen të rindërtojnë itinerarin e ndjekur nga “Fiat Bravo” përpara se të mbërrinte te ura. Sistemet lokale mundësojnë jo vetëm identifikimin e targave, por edhe regjistrimin e automjeteve që kalojnë në pika të ndryshme.
Hetuesit po verifikojnë nëse një automjet tjetër shfaqet në disa prej këtyre pikave të kontrollit, para ose pas kalimit të “Fiat Bravo”-s. Dyshohet se ky automjet mund të ketë ndjekur ose paraprirë makinën dhe mund të jetë përdorur për largimin e autorëve pas hedhjes së saj në kanal.





