Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj hetimeve për Belinda Ballukun, duke kërkuar veprime të shpejta deri në arrestimin e saj.

Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi ngre pyetjen se sa pasuri të tjera të Ballukut duhet të zbulohen që SPAK të paraqesë në Kuvend një kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar dhe arrestimin e saj.

Sipas tij deri tani ndaj ish numrit dy të qeverisë rëndojnë 4 vepra penale, mes tyre ajo e korrupsionit.

“Edhe sa vila të Belinda Ballukut duhet të zbulojë SPAK, që të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj?

Deri tani, 2 vila të sekuestruara dhe 4 akuza penale: korrupsion pasiv, fshehje pasurie, pastrim parash në rrethana cilësuese dhe shkelje e barazisë në 8 procedura prokurimi.

Kur do të veprojë SPAK? “Aleanca e Valamarit” nuk mund të jetë më e fortë se ligji!”, shkruan Bardhi.