Sabahu ka shkruar historinë në Ligën e Kampionëve me një formacion titullar të pazakontë, duke u bërë skuadra e parë në historinë e kompeticionit që nis një ndeshje me 11 lojtarë të 11 kombësive të ndryshme. Kampionët e Azerbajxhanit, të drejtuar nga trajneri lituanez Valdas Dambrauskas, e nisën debutimin në fazën e ligës ndaj Mançester Junajtidit në “Old Trafford” me një formacion ku secili prej 11 titullarëve përfaqësonte një shtet të ndryshëm. Sipas të dhënave të Opta-s, në portë ishte kazaku Stas Pokatilov, ndërsa mbrojtja përbëhej nga polaku Timoteuz Puçaz, afrikano-jugori Aden MkKarthi, azerbajxhanasi Rahman Dashdamirov dhe algjeriani Akim Zedadka.

Në mesfushë luajtën kroati Ivan Lepinjica dhe uzbekistani Umarali Rakhmonaliev. Edhe reparti ofensiv ishte një përzierje e jashtëzakonshme kombësish. Kristian Nuaçukvu përfaqësonte Nigerinë, Veljko Simiç Serbinë dhe Kahim Parris Xhamajkën, ndërsa Xhoj-Lance Mikels nga Ruanda kompletonte 11-shen. Kështu, në formacionin titullar të Sabahut ishte vetëm një futbollist nga Azerbajxhani. Ndeshja solli edhe një tjetër statistikë të veçantë. Mançester Junajtidi dhe Sabahu kishin së bashku 21 kombësi të ndryshme mes 22 lojtarëve titullarë. E vetmja kombësi e përsëritur ishte ajo belge, me portierin e Mançester Junajtidit, Sene Lamens, dhe Juri Tielemans.

Historia e Sabahut bëhet edhe më interesante duke marrë parasysh moshën e klubit. I themeluar në vitin 2017, klubi fitoi sezonin e kaluar titullin e parë kampion në Azerbajxhan, nën drejtimin e Dambrauskas. Më pas, Sabahu kaloi katër raunde kualifikuese për të siguruar një vend në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve. Debutimi në “Old Trafford” do të mbetet tashmë në historinë e kompeticionit jo vetëm për kundërshtarin prestigjioz, por edhe për rekordin e jashtëzakonshëm të 11 lojtarëve me 11 kombësi të ndryshme.