Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndaj drejtuesve të administratës që nuk respektojnë afatet për t’u dhënë përgjigje qytetarëve dhe për zgjidhjen e problematikave të tyre.
Në një video të publikuar nga takimi drejtuesit e administratës, Rama deklaroi se përmes projektit të ri “Pasqyra Albania” do të përcaktohet qartë përgjegjësia për çdo vonesë, ndërsa kostoja e shkeljes së afatit do t’i faturohet personit përgjegjës.
Sipas kryeministrit, respektimi i afateve duhet të jetë prioriteti kryesor i punës së drejtuesve dhe zëvendësministrave. Ai kërkoi që çdo ditë të analizohet numri i përgjigjeve të dhëna, kërkesat që presin përgjigje dhe rastet kur afatet janë tejkaluar.
Rama kërkoi gjithashtu që çështjet e bllokuara për shkak të kufizimeve ligjore të ndahen në kategori dhe qytetarëve t’u jepet një përgjigje e qartë nga institucionet.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, deklaroi Rama.
Kryeministri kritikoi rastet kur qytetarët mbahen në pritje pa një përgjigje përfundimtare, duke kërkuar që institucionet të përcaktojnë qartë nëse një kërkesë mund të zgjidhet apo pengohet nga ligji.
“‘Nuk bëhet’. ‘Edhe po, edhe jo, as mish, as peshk, as këtej, as andej’ quhet torturë, nuk quhet përgjigje”, u shpreh ai.
Rama u kërkoi zëvendësministrave që të kenë si prioritet të përditshëm ndjekjen e kërkesave të qytetarëve dhe të analizojnë arsyet e çdo vonese.
“Duhet ta nisin ditën me sa përgjigje u dhanë dje, sa përgjigje duhen dhënë sot dhe sa përgjigje nuk u dhanë në kohë dhe duhet të merren pastaj me ato përgjigje që nuk u dhanë në kohë. Pse nuk u dhanë?”, tha kreu i qeverisë.





