Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe gjyqtar në Apelin e GJKKO, Engert Pëllumbi, ka komentuar përplasjen e krijuar mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit për bllokimin e pagave të magjistratëve dhe kallëzimin e bërë.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, Pëllumbi u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të konsiderohet si një ndërhyrje e paligjshme në buxhetin e shtetit. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetues uljen e pagave të gjyqtarëve dhe vendimet e saj kanë fuqi detyruese.
“Gjykata Kushtetuese nuk e hap derën e thesarit në mënyrë të paligjshme. Ajo thjesht ka shpallur antikushtetues uljen e pagave të gjyqtarëve. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit dhe janë të detyrueshme për zbatim të menjëhershëm”, deklaroi Pëllumbi.
Ai komentoi edhe deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se pushteti gjyqësor nuk mund “ta hapë vetë derën e thesarit të shtetit” pa miratimin e Kuvendit.
I pyetur nëse do të bëjnë kallëzim ndaj kryeministrit, ai se një zyrtar i lartë që pranon publikisht se ka qenë pjesë e vendimmarrjes për të mos ekzekutuar një vendim gjykate mund të përfshihet në sferën e përgjegjësisë penale.
“I takon organit të prokurorisë që të kryejë veprimet e duhura hetyimore. megjithatë, kur një zyrtar i lartë pranon publikisht se ka qenë pjesë e konsultave apo vendimmarrjes për të mos ekzekutuar një vendim gjykate, ai e përfshin veten direkt në sferën e përgjegjësisë penale. Nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet as Kryeministri si kallëzues. Ne mund të depozitojmë një shtesë të kallëzimit penal në SPAK”, u shpreh ai.
I pyetur nëse SPAK do të guxonte të hetonte kryeministrin, ai shtoi:
“Sipas kodit të procedurës penale, SPAK ka për detyrë që të hetojë cdo perso ndaj të cilit ka dyshime të bazuara. Patjetër që e ka guximin që të hetojë këdo.”
Duke folur për kallëzimin penal të bërë nga gjyqtarët, Pëllumbi tha se ndër veprat penale të referuara është “Shpërdorimi i detyrës”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënim deri në 7 vite burg, ndërsa për “Pengimin e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” parashikohet gjobë ose burgim deri në dy vjet.
Pëllumbi e cilësoi përplasjen aktuale si një krizë të krijuar nga ekzekutivi, duke këmbëngulur se gjyqtarët nuk po kërkojnë privilegje, por zbatimin e një vendimi kushtetues. Ai kërkoi gjithashtu edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për të sjellë në shinat e kushtetueshmërisë qeverinë.
Ai theksoi se nuk e negociojnë ndryshimin e formulës, që ka marrë fuqinë e ligjit, me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne jemi thjesht për zbatimin e vendimit të GJK. Në mbledhjen e gjyqtarëve, bëmë të qartë se nuk negociojmë me parimet kushtetuese. Nuk negociojmë për zbatimin e nenit 138 të Kushtetutës, moscënimi i pagës së gjyqtarit, dhe nenit 132, zbatueshmëria e vendimeve të GJK.
Sepse jemi përballë një shkelje të hapur. Formula kushtetuese përcaktoi se për shkak se kuvendi nuk veproi deri më 31 Korrik, vendimi ka hyrë në fuqi më 1 gusht. Ne nuk heqim dorë nga kjo formulë që ka marrë fuqinë e ligjit. Shpresojmë që ndërkombëtarët të bëjnë lëvizjet e duhura për të ndërmjetësuar që ekzekutivi të hyjë në shinat e kushtetueshmërisë.”, tha ai.
Sipas tij, nëse maxhoranca ndryshon ligjin, ata do t’i drejtohen sërish Kushtetueses.
“Do të shkojmë përsëri në GJK për ta zhbërë atë ligj. Këto janë mjete ligjore që ka në dorë pushteti gjyqësor. “
Ai shtoi se Prokuroria e Beratit ka nisur një procedim penal.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat ka regjistruar tashmë një procedim penal mbi bazën e kallëzimit që kanë bërë punonjësit e administratës së Gjykatës. Organi i akuzës është duke kryer të gjitha veprimet përkatëse hetimore për të nxjerrë përgjegjësitë e degës së Thesarit në atë qytet”, deklaroi ai.





