Qindra emigrantë të paligjshëm të kthyer nga Mbretëria e Bashkuar në Francë në kuadër të skemës “një brenda, një jashtë” janë zhdukur pa lënë gjurmë, raporton The Guardian duke cituar organizatat e të drejtave të njeriut. Mes personave të zhdukur përfshihen edhe më shumë se 40 individë “me moshë të diskutueshme”, të cilët pretendonin se ishin fëmijë të mitur të pashoqëruar.
Pakt i ndërmjetësuar verën e kaluar mes Londrës dhe Parisit u promovua si një arritje e madhe, duke i dhënë mundësi Britanisë të kthente kërkuesit e paligjshëm të azilit që kalonin Kanalin e Manshit, ndërsa pranonin azilkërkues me kërkesa legjitime që nuk kishin tentuar hyrjen ilegale. Megjithatë, rezultatet e kësaj skeme konsiderohen mjaft të kufizuara: që nga nënshkrimi në shtator të vitit të kaluar janë kthyer vetëm rreth 1,400 emigrantë, përballë më shumë se 32,000 mbërritjeve të paligjshme në tokën britanike.
Sipas Maddie Harris, drejtoreshë e organizatës “Humans for Rights Network”, mes të kthyerve që tashmë janë zhdukur ishin të paktën 41 persona me moshë të kontestuar.
Ajo rikujtoi se mbajtja e të miturve të pashoqëruar në qendrat e paraburgimit për të rritur është e paligjshme dhe ata janë kategorikisht të përjashtuar nga kjo marrëveshje. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme britanike i ka hedhur poshtë me forcë këto akuza, duke këmbëngulur se të gjithë të dëbuarit ishin të rritur dhe se askush me moshë të diskutueshme nuk është kthyer në Francë.





