Një avokat që po apelonte dënimin e klientit të tij për vrasje paraqiti një dokument gjyqësor që përmbante dëshmi të sajuara të policisë dhe dëshmitarë të fabrikuar nga ChatGPT, tha Gjykata e Lartë e Nju Meksikos.
Të mërkurën, Gjykata e Lartë e Nju Meksikos e gjobiti avokatin Stephen Aarons dhe e shpalli në përbuzje të gjykatës, pasi ai nuk kishte verifikuar saktësinë e dokumentit të dorëzuar në gjykatë. Aarons tha se e kishte përgatitur atë me ndihmën e programit të inteligjencës artificiale. Dokumenti “përmbante dëshmi të rreme nga dëshmitarë tërësisht të sajuar”, tha gjykata.
Trupi gjykues tha gjithashtu se Aarons kishte “shfaqur mungesë pendese dhe mungesë shqetësimi për klientin e tij”. Gjykatësit e gjobitën Aarons me 5.000 dollarë dhe thanë se do ta referonin te një bord disiplinor i avokatëve për hetim.
Në një deklaratë për Reuters, Aarons tha se kishte përdorur ChatGPT-në për të përmbledhur procedurat e gjyqit kur pranoi të merrte përsipër apelimin e të pandehurit vitin e kaluar dhe se nuk e kuptonte shkallën në të cilën inteligjenca artificiale mund të “haluçinonte” ose të sajonte fakte.
“Jam i penduar, por shpresoj që bordi disiplinor të marrë parasysh faktin se ishte një gabim i sinqertë,” tha ai. “Është një mësim për të gjithë profesionistët që mbështeten te kjo teknologji e fuqishme, por ndonjëherë e paqëndrueshme.”
OpenAI nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Sanksioni i gjykatës është rasti më i fundit në një numër gjithnjë e më të madh çështjesh në të cilat gjyqtarët shtetërorë dhe federalë kanë ndëshkuar avokatë për paraqitjen e dokumenteve gjyqësore të gjeneruara nga mjetet e AI-së pa i kontrolluar në mënyrë të mjaftueshme. Disa gjyqtarë gjithashtu janë përballur me kritika për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Dhjetëra avokatë janë ndëshkuar për paraqitjen e dokumenteve ku AI-ja kishte sajuar referenca të çështjeve gjyqësore ose kishte cituar gabimisht ligjin. Dokumenti i Aarons duket se shkoi edhe më tej, pasi përmbante dëshmi të fabrikuara të dëshmitarëve në një apelim penal.
Aarons, një avokat privat me bazë në Santa Fe, po trajtonte apelimin e Oscar Renee Sandoval, i cili ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e nënës së fëmijëve të tij, përpara se të dënohej dhe të merrte vitin e kaluar dënimin me burgim të përjetshëm.
Apelimi është ende në shqyrtim dhe më 2 shtator iu caktua Kim Chavez Cook, një avokate publike e Nju Meksikos. Cook nuk pranoi të komentonte. As zyra e prokurorit të distriktit të qarkut Doña Ana nuk pranoi të komentonte.
Muajin e kaluar, gjykata supreme e shtetit urdhëroi Aarons të shpjegonte se si materiali i fabrikuar, i cili sipas saj dukej se përfshinte “deklarata fiktive se personi që qëlloi ishte i veshur me pantallona të errëta dhe një këmishë të bardhë”, ishte përfshirë në dokumentin e tij kryesor të apelimit.
Në një seancë më 21 gusht, Aarons i tha gjykatës se kishte futur në ChatGPT një transkript të krijuar nga kompjuteri dhe materiale të tjera të çështjes, duke supozuar se ai do të gjeneronte “një përmbledhje të pagabueshme”.
Gjykatësit shfaqën mosbesim që Aarons nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për mënyrën se si AI-ja mund të bëjë gabime.
“Avokat, a i shikon lajmet? A dëgjon radion? A lexon diçka për atë që po ndodh në botë?” pyeti gjyqtarja C. Shannon Bacon gjatë seancës. “Sepse problemi i avokatëve që mbështeten te halucinacionet e AI-së është një lajm kryesor çdo ditë.”





