Kryeministri Edi Rama ka vijuar në Berat takimet në kuadër të konsultimit publik për reformën administrative territoriale.
Në fokus të diskutimeve ka qenë riorganizimi i njësive vendore dhe ndikimi që ndryshimet e propozuara mund të kenë në shërbimet për qytetarët.
Rama është ndalur te shqetësimet që lidhen me Poliçanin, Dimalin dhe njësitë e tjera vendore, duke argumentuar se riorganizimi nuk do të sjellë cenim të shërbimeve për banorët.
Sipas kryeministrit, qëllimi i reformës është krijimi i një administrimi më efikas dhe i strukturave që mund të përballojnë më mirë nevojat e komuniteteve.
Në këtë kuadër, ai ka lidhur riorganizimin edhe me mundësinë për më shumë zhvillim dhe investime në territor.
Takimi në Berat është zhvilluar mes diskutimeve dhe kundërshtimeve të ngritura nga përfaqësues të zonave që preken nga reforma.
Në një reagim në rrjetet sociale pas takimit, Rama ka përdorur një gjuhë ironike për të përshkruar debatin me përfaqësuesit e Poliçanit dhe Dimalit.
“Sot në Berat, ku kokëfortësia kolektive e Poliçanit dhe këmbëngulja e disa zonjave të mirëpërgatitura të Dimalit, i dhanë diskutimit shijen e një ballafaqimi të posaçëm”, shkruan Rama.
Reforma administrative territoriale pritet të prekë mënyrën e organizimit të njësive vendore, ndërsa konsultimi publik po zhvillohet me banorë dhe përfaqësues lokalë në disa qarqe.





