Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar të gjithë nxënësit shqiptarë me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, duke përcjellë një mesazh të veçantë edhe për fëmijët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Përmes një postimi në profilet e tij në rrjetet sociale, Presidenti Duka u ka uruar nxënësve një vit të mbarë dhe i ka inkurajuar ata të mësojnë, të ëndërrojnë dhe të besojnë te vetja.

“Urime të gjithë nxënësve shqiptarë për vitin e ri shkollor e veçanërisht për vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Mësoni, ëndërroni dhe besoni te vetja juaj”, u shpreh Duka.

Në mesazhin e tij, kreu i FSHF-së ka theksuar gjithashtu angazhimin e Federatës për të qenë pranë fëmijëve edhe gjatë këtij viti, përmes projektit “Uniforma Ime”, i cili mbështet nxënësit me uniforma falas.

“Ne si Federatë Futbolli, do të jemi gjithmonë pranë jush, përmes projektit ‘Uniforma Ime’, me uniforma falas. Sepse shkolla dhe ëndrrat ecin së bashku”, theksoi Duka.

Projekti “Uniforma Ime” është një nga nismat përmes të cilave FSHF synon të kontribuojë në mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve, duke përcjellë përtej fushës së futbollit vlerat e sportit, edukimit dhe solidaritetit.