Tre të rinj norvegjezë, të moshës 17 deri në 19 vjeç, janë paraqitur në gjykatë në Norvegji, të akuzuar për përfshirje në një komplot për kryerjen e një vrasjeje në Britani, në emër të rrjetit kriminal suedez Foxtrot. Prokuroria i akuzon ata kryesisht për komplot për të kryer vrasje, me rrethanën rënduese se veprimet dyshohet se janë kryer në kuadër të një grupi të krimit të organizuar. Të tre të pandehurit kanë deklaruar se nuk janë fajtorë.

Sipas aktakuzës, njëri prej tyre dyshohet se ka marrë pjesë në rekrutimin e 19-vjeçarit Johannes Kongsnes Natland, i cili më vonë u dënua në Britani për komplot për të kryer vrasje. I dyti akuzohet se e ka shoqëruar Natland gjatë udhëtimit drejt Britanisë dhe e ka nxitur të kryente veprime kriminale, ndërsa i treti dyshohet se i ka dhënë atij para në mënyrë të përsëritur.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Natland u arrestua në mars 2025 në një hotel në Huddersfield, në veri të Anglisë. Në dhomën e tij u gjetën një pistoletë gjysmëautomatike, një revolver dhe 19 fishekë, të fshehura nën shtrat. Në këtë çështje është përfshirë edhe një tjetër 17-vjeçar, i cilësuar si figurë qendrore.

Ai u dënua në qershor me 14 vite burg për tre tentativa vrasjeje, përfshirë atë në Britani, si dhe për bashkëpunim në dy vrasje të lidhura me rrjetin Foxtrot në Suedi. Avokati i tij ka bërë të ditur se vendimi do të apelohet. Rrjeti Foxtrot, një prej grupeve kriminale më të njohura në Suedi, është zgjeruar edhe jashtë vendit. Organizata lidhet me Rawa Majid, i cili ndodhet në Iran dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në një numër të madh veprash të dhunshme.