Në një lidhje nga Haga për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, gazetarja e Euronews, Esmeralda Mualaj, mori një intervistë me djalin e Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi.

Altin Krasniqi tha se familja po i përjeton me stres këto orë pritjeje, ndërsa shprehu shpresën se nesër babai i tij dhe ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së do të shpallen të pafajshëm. Ai e cilësoi procesin gjyqësor si më shumë politik sesa të drejtë dhe tha se, sipas tij, nuk ka pasur prova apo dëshmi që inkriminojnë luftën e UÇK-së.

Ai foli edhe për vitet e gjata të mungesës së babait në familje, duke treguar se Jakup Krasniqi është bërë gjysh katër herë gjatë kësaj periudhe dhe se nuk ka mundur të përjetojë momente të rëndësishme. Megjithatë, Altin Krasniqi theksoi se ndihet krenar për kontributin e të atit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht vendimit që do të merret.

“Janë pak stresuese këto orë pritjeje. I ka ardhur fundi, jemi duke pritur të lirohet. Shpresa jonë është që atë ta shpallin të pafajshëm. Këto gjashtë vite, procesi ka qenë më shumë politik sesa se ka pasur drejtësi. Kushdo që e ka përcjellë e ka parë se s’ka as prova apo dëshmi që inkriminojnë luftën e UÇK-së. Kemi pritur që të mos zgjaste kaq shumë, që të kishte një proces të drejtë dhe me standarde evropiane dhe që provat që merren të jenë kredibile dhe jo të marra nga Serbia. Kështu që mendoj që procesi u inkriminua që prej fillimit dhe presim që në fund të ketë drejtësi. Ne besojmë që, në fund, kur të merret aktgjykimi për secilën pikë të aktakuzës, duhet të ketë një arsyetim pse dhe nuk besoj se për asnjërën pikë nuk kanë një arsye pse duhet të dënohen. Prandaj, unë besoj se në fund do të jetë proces drejtësie dhe jo vendim politik. Gjatë këtyre viteve që babai ka qenë larg, kemi pasur momente gëzimesh dhe hidhërimesh. Kur kemi pasur të afërm që kanë humbur jetën, kemi pasur edhe gëzime. Ai u bë gjysh katër herë, ka tre mbesa dhe një nip, por s’ka mundur ta shijojë pleqërinë. Ashtu siç nuk e ka shijuar as rininë, pasi ka vuajtur rreth 10 vjet burg gjatë viteve ’80 deri në ’91. Kështu që për ne ka qenë pak e rëndë çështja e moshës, por pavarësisht gjithçkaje dhe dhimbjes, për mua është krenari e madhe që ai ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jam krenar për kontributin e tij, pavarësisht se çfarë vendimi merret nesër. Emrat e fëmijëve i kemi vendosur me bashkëshorten, por sigurisht të frymëzuar nga babai, i cili gjithmonë na ka dhënë atdhedashurinë për Shqipërinë. Ne e duam njëjtë si Kosovën, ashtu edhe Shqipërinë. Babai, gjatë këtyre gjashtë viteve, na ka thënë që duhet të qëndrojmë të fortë, të mos ndalim proceset e jetës, të vazhdojmë të jemi të fortë dhe të arrijmë qëllimet në jetë. Secili prej fëmijëve ka pasur mbështetjen e tij dhe ai ka qenë më i fortë se ne. Angazhimi i babait në politikë e ka emocionuar shumë dhe gjithmonë na ka thënë: ‘Kur të bëj 70 vjet, do ta lë politikën dhe do t’i përkushtohem familjes’. Dhe dy muaj para se të bënte 70 vjet, e morën. Normalisht, nëna i ka ato emocionet, se ka dashur ta kalojë pleqërinë me të. Pas vuajtjeve që ka kaluar babai, ishte më se e drejtë që të mos ndodhte kjo. Nesër presim lajme të mira, jemi optimistë, besojmë në drejtësi. Besojmë që, nëse bazohen në fakte dhe dëshmi, të katërt do të jenë të lirë”, tha ai.