Gazetari i Euronews në Kosovë, Xhemajl Rexha, raportoi për emisionin “Now me Erla Mëhillin” nga sheshi “Skënderbej” në qendër të Prishtinës, 12 orë para vendimit në Hagë, ku qytetarët janë mbledhur në atë që është pagëzuar si “Nata e Pritjes”.
Në shesh janë mbledhur një numër i madh qytetarësh, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, si dhe përfaqësues politikë të PDK-së. Ata kanë ndezur “zjarret e lirisë” dhe pritet të qëndrojnë në shesh, në pritje të verdiktit që pritet të shpallet nesër në orën 10:00.
Ndërkohë, edhe në Skënderaj, në zemër të Drenicës dhe vendlindjen e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë mbledhur qytetarë për të pritur vendimin.
Gazetari tha se në Kosovë mbizotëron një atmosferë ankthi, pritjeje dhe pasigurie për verdiktin, por edhe për atë që mund të ndodhë më pas.





