Në orën 01:30 të 18 shtatorit mazhoranca ka miratuar formulën e re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve të Shqipërisë. Drafti për rritjen me 2% sa paga e presidentit, mori dritën jeshile pas mesnate në Kuvend me 84 vota pro të Partisë Socialiste.

Projektligji i socialistëve parashikon rritje të pagës referuese për magjistratët me rreth 8,500 lekë, ndërkohë që kërkesa e tyre, e miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.

Votimit iu bashkua dhe kryeministri Edi Rama ndërsa Sali Berisha mungoi. Përplasjet mes palëve ishin të ashpra. Rama e konsideroi votën kundër të Partisë Demokratike si “puç kushtetues” ndërsa opozita tha se drafti i PS nuk respekton asnjë pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit katër muaj kohë që ta zgjidhte çështjen përpara se vendimi i saj për shfuqizimin e ligjit të pagave të hynte në fuqi. Pra, u tregua tërësisht e përgjegjshme, ndryshe nga ty dhe nga ky Kuvend që u tregua tërësisht i papërgjegjshëm”. tha Bardhi.

Rama bëri të ditur se qeveria ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave. Sipas Ramës, me reformën në drejtësi, pagat e magjistratëve u rritën në mënyrë “stratosferike”, duke prishur raportin me pagat e tjera. Ai e cilësoi “lajthitje” kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e punonjësve të tjerë.

“Këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur, në bërjen e reformës, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej. Nuk u tha qartë dhe nuk u tha troç që ju do të merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, shumë më tepër se gjithë të tjerët, sepse reforma kërkon nga ju që të bëni një sforco, por ama kjo nuk do të jetë një rritje permanente. Sa herë të rriten të tjerët, do të rriteni edhe ju, sepse i bie pastaj, siç e thashë në fillim, do të krijonim shtetin e parë në botë. Dhe unë i sfidoj të gjithë të më sjellin, të paktën në 2 mijë vjetët e fundit, një sistem ku gjykatësit kanë qenë mbi të gjithë në aspektin e taksave. Nuk ndodh. Është nonsens”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se për ligjin e ri kanë nisur kontaktet me Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë.

Debati për pagat mes sistemit të drejtësisë dhe qeverisë vijon prej vitesh ndërsa së fundmi situata është përshkallëzuar. Qeveria vendosi të bllokojë në Thesarin e Shtetit rrogat e muajit gusht për çdo punonjës në sistem, ndërsa zgjidhja iu dha vetëm në Kuvend me miratimin e formulës së re.

Ishte Kushtetuesja që detyroi Kuvendin të hartonte një tjetër formulë përllogaritje. Por kur Kuvendi tejkaloi afatet, KLGJ e KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.