Dy persona janë arrestuar në Tiranë në kuadër të një operacioni kundër organizimit të paligjshëm të basteve sportive në lokale pranë institucioneve arsimore.
Në pranga kanë rënë Denis Gjoka, 24 vjeç, dhe Kastriot Çuka, 48 vjeç, ndërsa dy persona të tjerë, mes tyre një 17-vjeçar, janë proceduar penalisht. Gjatë operacionit “WEB page” janë sekuestruar edhe pesë celularë me faqe aktive për vendosjen e basteve sportive.
“Tiranë/Vijon zbatimi i prioriteteve të Policisë së Shtetit, për të mos lejuar depërtimin e fenomeneve kriminale, në afërsi të shkollave.
Finalizohet operacioni i koduar “WEB page”. Zbulohen 2 lokale në afërsi të shkollave, ku zhvilloheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin.
Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.
Sekuestrohen 5 celularë me faqe aktive për vënien e basteve sportive.
Si rezultat i monitorimit të përditshëm të territorit përreth institucioneve arsimore, në zbatim të planit të posaçëm të masave, të prezantuar me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, me objektiv madhor garantimin e sigurisë së nxënësve, shërbimet e DVP Tiranë finalizuan operacionin e koduar “WEB page”.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, u evidentua se në 2 lokale në afërsi të shkollave, organizoheshin dhe viheshin ilegalisht baste sportive, nëpërmjet celularëve.
Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit D. Gj., 24 vjeç, dhe K. Ç., 48 vjeç, si dhe nisi procedimi penal për shtetasin I. M., 54 vjeç, dhe një 17-vjeçar.
Në njërin prej lokaleve, i administruar nga shtetasi K. Ç., 48 vjeç, u kap në flagrancë duke vënë baste sportive shtetasi D. Gj., 24 vjeç, ndërsa në të njëjtin lokal ndodhej edhe shtetasi I. M., 54 vjeç, i përfshirë në këtë veprimtari.
Ndërsa në lokalin tjetër, u konstatua një 17-vjeçar, i punësuar në këtë subjekt, i cili kryente veprimtarinë e vënies së basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 celularë, me faqe aktive për vënien e basteve sportive. Angazhimi për zbatimin e planit të posaçëm të masave për sigurinë e nxënësve vijon intensivisht. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.





