Një 42-vjeçare shqiptare ka humbur jetën pasi u përplas nga një kamion plehrash në San Dona di Piave, pranë Venedikut, në Itali.

Aksidenti ndodhi pak para orës 08:00 të mëngjesit, në Via Passarella, në kryqëzimin me Via Paolo VI. Lavdije Isteri, nënë e tre fëmijëve, po e çonte fëmijën e saj më të vogël, 9 vjeç, në shkollë, kur u godit nga kamioni i plehrave që po kthehej djathtas në një rrugë anësore.

Tragjedia ndodhi para syve të vajzës së saj. Shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit reaguan menjëherë, duke përdorur një vinç për të ngritur kamionin dhe për të tentuar nxjerrjen e gruas.

Një dëshmitare, Giada Buratto, nënë e nxënësve të tjerë të vegjël, tha se vajza kishte kaluar tashmë rrugën dhe ndodhej pak përpara nënës së saj.

“Për fat të mirë, vajza e vogël ishte pak përpara nënës së saj dhe kishte kaluar tashmë rrugën”, tha ajo.

Ndërkohë, në Shkollën Fillore Marco Polo, fëmijët nuk dolën për pushim, ndërsa prindërit që po largoheshin nga shkolla ishin ende në gjendje shoku.

Aksidenti ka rikthyer diskutimet për sigurinë e automjeteve të rënda në qytet dhe parandalimin e pikave të verbëra. Kamioni i kompanisë Veritas ishte një nga më të vjetrit, i pajisur me pasqyra për përmirësimin e dukshmërisë, por pa disa prej veçorive më moderne të sigurisë.

Shoferi i automjetit u trondit gjithashtu nga ngjarja.

“Ky lajm na lë të tronditur dhe thellësisht të trishtuar”, tha Simone Cereser, Këshilltar për Sigurinë në San Donà di Piave, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjen.

Policia lokale po heton aksidentin për të përcaktuar shkaqet e tij.