Me thirrjet “Qeveri e krimit” dhe “Ju erdhi fundi”, protestuesit po marshojnë drejt godinës së kryeministrisë në ditën e 112 të protestës. Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama. Tubimi po vijon prej më shumë se tre muajsh, ndërsa pjesë e protestave ka qenë edhe Diaspora e cila është shprehur njëzëri për largimin e Ramës.
Mes shumë kërkesave, protestuesit sot kanë vënë theksin te nevoja për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ata kërkojnë që zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të zhvillohen 100% me lista të hapura, me qëllim që çdo deputet në Parlament të jetë aty për shkak të vullnetit të popullit, dhe jo dëshirës së kryetarit të Partisë.
“Duam proporcional kombëtar që lojtarët t’i zgjedhë ky popull sot, se me ekipin e trajnerit të korruptuar SPAK-u po e mbush burgun plot! Listat s’janë pronë, mandatet s’janë pazar, hapini 100% le të zgjedhë çdo shqiptar”, shkruhej në disa prej pankartave.





