Një rast jashtëzakonisht i rrallë është regjistruar në Massachusetts të SHBA-së, ku një breshkë e llojit ‘diamondback terrapin’ ka lindur me dy koka.
Breshka e vogël u dërgua më 17 shtator në Cape Wildlife Center dhe aktualisht po mbahet nën vëzhgim të kujdesshëm nga veterinerët. Ajo peshon vetëm 4.89 gramë, ndërsa të dyja kokat janë aktive dhe reagojnë normalisht.
Breshka ka një guaskë të përbashkët, katër këmbë dhe dy koka plotësisht të formuara. Gjendja njihet si bicefali dhe ndodh kur embrioni nuk ndahet plotësisht gjatë zhvillimit. Sipas ekspertëve të qendrës, raste të tilla mund të ndodhin afërsisht në 1 në 100 mijë breshka të sapoçelura.
Veterinerët do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër dhe, pasi gjendja e saj të stabilizohet, do ta vendosin në një hapësirë më të madhe për të vlerësuar aftësinë e saj për të notuar, për t’u ushqyer dhe për të lëvizur.





