Gjykata Kushtetuese ka hedhur sot shortin për shqyrtimin e padisë së dorëzuar nga Asociacioni i Gazetarëve (AGSH), i cili ka kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e rregullores së re të miratuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Nga hedhja e shortit, gjyqtar i kësaj çështjeje është caktuar Asim Vokshi.

Padia e Asociacionit, e depozituar më 14 Shtator, erdhi si reagim ndaj udhëzimeve dhe rregullores së re të aplikuar nga GJKKO, e cila sipas gazetarëve të terrenit vendos pengesa të forta dhe kufizime në pasqyrimin e seancave gjyqësore e marrjen e informacionit zyrtar.

AGSH argumenton se disa prej dispozitave të rregullores kufizojnë punën e gazetarëve gjatë ndjekjes së seancave gjyqësore dhe cenojnë aksesin në informacion. Asociacioni kërkon që rregullorja të pezullohet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Rregullorja e re e GJKKO-së hyri në fuqi më 1 shtator. Ndër masat e kundërshtuara nga gazetarët është ndalimi i përdorimit të celularëve gjatë seancave, ndërsa nuk lejohet as regjistrimi audio nga ana e gazetarëve. Po ashtu, janë kundërshtuar procedurat e akreditimit dhe kërkesat për ndjekjen e seancave.