Franca është tronditur nga një ngjarje e rëndë e zbuluar të hënën, më 21 shtator, në Nice, ku 25-vjeçarja braziliane Larissa Brito, nga Sao Paulo, u gjet e pajetë në rrethana të rënda.
Trupi i saj u gjet i fshehur nën disa mbulesa plastike dhe një grumbull rrobash në bagazhin e një makine. Zbulimi u bë gjatë një kontrolli doganor në zonën e Brignoles.
Në automjet ndodhej një 29-vjeçar me origjinë algjeriane, i cili u arrestua nga policia. Sipas hetimeve paraprake, mes tij dhe viktimës kishte pasur më herët një lidhje.
Sipas dëshmive të disa mikeshave të Larissës për mediat braziliane, 25-vjeçarja e kishte njohur 29-vjeçarin rreth një vit më parë. Marrëdhënia mes tyre kishte përfunduar pas një episodi dhune, për të cilin burri ishte dënuar me burg.
Pas lirimit nga burgu, ai dyshohet se kishte vijuar ta kërkonte të renë. Mikeshat e saj kanë deklaruar se Larissa ishte e frikësuar nga afrimi i tij.
Këto dëshmi pritet të verifikohen nga hetuesit, të cilët po përpiqen të përcaktojnë gjithashtu se ku, kur dhe si ka ndodhur vdekja.
Sipas informacioneve të bëra publike, 29-vjeçari ishte i njohur më herët për autoritetet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe çështje të lidhura me trafikun e drogës.
Prokuroria po heton ditët e fundit të jetës së Larissa Britos për të rindërtuar rrethanat që çuan në vdekjen e saj. Vëmendja e hetuesve është përqendruar edhe te apartamenti në rue Lenval, ku 25-vjeçarja jetonte në Nice.
Sipas një personi të njohur të viktimës, i cili kishte njoftuar policinë për zhdukjen e saj, ai kishte hyrë në banesë dhe e kishte gjetur atë të pastër e të rregullt. Më pas, ai kishte parë një burrë duke dalë nga apartamenti me disa çanta.
Autoritetet franceze po punojnë për të verifikuar të gjitha këto dëshmi dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale.
Në Sao Paulo, familja e Larissës po përballet edhe me vështirësinë e kthimit të trupit të saj në Brazil. Të afërmit kanë nisur një mbledhje fondesh për të përballuar shpenzimet e riatdhesimit.
“Publikoni foton e këtij vrasësi”, janë fjalët e nënës së 25-vjeçares, e cila kërkon publikimin e fotografisë të të arrestuarit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së të resë braziliane.





