Më shumë se 451 mijë njerëz mund të vdesin nga pasojat e nxehtësisë së shtuar gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, si pasojë e një fenomeni të fuqishëm El Niño, sipas një vlerësimi të studiuesve të klimës.
Parashikimi mbulon periudhën nga shtatori 2026 deri në shkurt 2027 dhe bazohet në lidhjen historike mes temperaturave të larta dhe vdekjeve të lidhura me nxehtësinë.
Vendet tropikale pritet të jenë ndër më të prekurat. Nigeria, Indonezia, Sudani, India dhe Brazili renditen ndër rajonet ku parashikohen më shumë vdekje shtesë. Edhe Shtetet e Bashkuara pritet të përballen me rreth 3,500 vdekje shtesë nga nxehtësia gjatë kësaj periudhe.
Studiuesit paralajmërojnë se pasojat nuk do të kufizohen vetëm te temperaturat e larta. El Niño mund të sjellë gjithashtu thatësira, zjarre dhe përmbytje, ndërsa ndikimet në bujqësi mund të përkeqësojnë sigurinë ushqimore dhe të rrisin çmimet.
Vlerësimi është hartuar duke analizuar të dhëna nga 24,378 rajone në të gjithë botën. Studiuesit krahasuan temperaturat dhe vdekjet shtesë nga nxehtësia muaj pas muaji gjatë periudhës 1996–2025 dhe i kombinuan këto të dhëna me parashikimet e temperaturave të lidhura me El Niño-n.
“The Guardian” shkruan se sipas studiuesve, parashikime të tilla mund të ndihmojnë autoritetet të përgatiten më herët. Masat e mundshme përfshijnë përmirësimin e paralajmërimeve për valët e të nxehtit, hapjen e qendrave të ftohjes, shtimin e personelit në institucionet shëndetësore gjatë orëve më të nxehta dhe forcimin e masave mbrojtëse për punëtorët që qëndrojnë jashtë.
“Vlerësimi prej 451,000 njerëzish është një numër kaq i madh sa mund të jetë tronditës, por përbëhet nga prindër dhe fëmijë, gjyshër dhe fqinjë, njerëz që shkojnë në punë, kujdesen për familjet dhe jetojnë jetën e tyre”, tha Prof. Michael Greenstone, bashkëthemelues i Climate Impact Lab dhe profesor në Universitetin e Çikagos.
Sipas bashkëautores Dr. Tamma Carleton, nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, përgatitja më e mirë ndaj emergjencave mund të shpëtojë jetë në periudhën afatshkurtër. Ajo paralajmëroi gjithashtu se temperaturat ekstreme që sot konsiderohen të jashtëzakonshme mund të bëhen më të zakonshme në dekadat e ardhshme.
El Niño është një fenomen natyror klimatik që shkakton ndryshime të mëdha në temperaturat dhe qarkullimin atmosferik. Megjithatë, studiuesit theksojnë se ai po zhvillohet mbi një klimë tashmë më të ngrohtë për shkak të emetimeve të gazeve serrë.
Prof. Friederike Otto, nga Imperial College London, e përshkroi situatën si një rishpërndarje të madhe të energjisë në sistemin klimatik. Sipas saj, temperaturat më të larta mund të sjellin pasoja të mëtejshme për shëndetin, sigurinë ushqimore dhe furnizimin me ujë.
Pasojat mund të shtrihen edhe te ushqimi. Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se një El Niño i fuqishëm mund të shtyjë rreth 50 milionë njerëz drejt urisë akute dhe të ushtrojë presion mbi çmimet e ushqimeve.





