Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka kërkuar në Kuvend që kryeministri Edi Rama të japë shpjegime për zhvillimet e fundit që lidhen me dyshimet për nxjerrje të sekreteve shtetërore dhe ndihmën e pretenduar ndaj Ergys Agasit.
Duke iu referuar vendimit të GJKKO-së për masën e sigurisë ndaj një zyrtareje, Koçeku tha se ajo dyshohet se ka nxjerrë sekrete shtetërore dhe ka ndihmuar Agasin, të cilin e cilësoi si person nën akuzë.
“Këtë javë GJKKO vendosi arrest shtëpie dhe pezullim detyre, dyshohet se ka nxjerrë sekrete shtetërore dhe ka ndihmuar Agasin, njeriun që akuzohet. Këto dy ditë kemi dëgjuar dy teza, njëra thotë ra shteti dhe tjetra u pjek drejtësia. Kryeministri shkroi nga New York dhe kërkoi edhe ndjesë për vonesën e reagimit për shkak të orareve, por për garancinë jo. Tek ne ai që garanton për tjetrin quhet dorëzanë, dhe dorëzani del vetë e përgjigjet”, tha Koçeku.
Ajo iu referua edhe raportimit të drejtores së SHISH në Kuvend në fund të qershorit, duke kërkuar që Rama të japë shpjegime për atë që dinte lidhur me çështjen.
“Në fund të qershorit drejtoresha e SHISH mbi 2 orë foli për rreziqe ndaj sigurisë tonë kombëtare dhe krimin e organizuar dhe ky Kuvend e dëgjoi. Kryeministri sapo të kthehet duhet të vijë në sallë dhe të na thotë çfarë dinte. E dyta, një vlerësim të plotë të dëmit para Komisionit të Sigurisë. Dhe kreu i ri i SHISH, para se të dekretohet, të vijë para Kuvendit dhe t’i përgjigjet pyetjeve tona”, përfundoi Koçeku.





