Selena Gomez ka folur hapur për dëshirën e saj për t’u bërë nënë, duke deklaruar se një ditë do të ketë fëmijët e saj.

Këngëtarja dhe sipërmarrësja 34-vjeçare e bëri deklaratën gjatë Festivalit të Inovacionit të “Fast Company” në New York, ku foli edhe për punën e kompanisë së saj, Rare Beauty, dhe Rare Impact Fund.

Duke folur për ndikimin e organizatës, Gomez tha se ndihet veçanërisht krenare për ndryshimin që po sjell puna e saj, ndërsa iu referua edhe dëshirës për të pasur fëmijë.

“Kam një motër 13-vjeçare që do të thotë gjithçka për mua dhe një ditë do të kem fëmijët e mi, dhe kjo është diçka që nuk dua të jetë një temë tabu”, tha ajo.

Deklarata e saj vjen dy vjet pasi Gomez zbuloi se nuk mund të mbajë një shtatzëni për shkak të problemeve shëndetësore. Në vitin 2024, në një intervistë për “Vanity Fair”, ajo tregoi se disa probleme mjekësore do ta vendosnin në rrezik atë dhe një fëmijë gjatë shtatzënisë.

Në atë kohë, Gomez tha se kishte nisur ta shihte situatën ndryshe dhe përmendi mundësinë e birësimit ose një nëne surrogate si rrugë për të krijuar familjen që dëshiron.

Deklarata e fundit e këngëtares vjen pak ditë pasi bashkëshorti i saj, Benny Blanco, foli gjithashtu për dëshirën për të krijuar një familje.

“Po bëj gjithçka që mundem që kjo të ndodhë”, kishte deklaruar Blanco, duke shtuar se ndihet gati të bëhet baba.