Një episod kurioz u regjistrua në sfidën e Nations League mes Austrisë dhe Izraelit e fituar nga skuadra e Rangnick me rezultatin 3-1. Protagonist u bë futbollisti izraelit Abu Farchi që në minutën e 55  barazoi shifrat në 1-1 për Izraelin duke shënuar me kokë pas një gjuajtje të devijuar. Për sulmuesin e Colorado Rapids ky ishte goli i tij i parë me kombëtaren dhe 20 vjeçari për të festuar mori flamurin e goditjes së këndit për të kryer një gjest që fillimisht u interpretua si simulim i gjuajtjes me armë, por që në fakt ishte thjesht një imitim i gjuajtjes në bilardo.

Arbitri e thirri dhe i tregoi kartonin e dytë të verdhë më shumë për faktin se hoqi flamurin nga fusha sesa për gjestin në vetvete. Abu Farchi ishte ndëshkuar më herët dhe më konkretisht 3 minuta para këtij festimi me karton të verdhë dhe kështu futbollisti me dy kartonë të verdhë që u shndërruan në të kuq, e la fushën e lojës para kohe dhe njëkohësisht edhe skuadrën e tij në inferioritet numerik.

Në fakt Farchi i feston në këtë mënyrë golat edhe në kampionat me gjestin e gjuajtjes së bilardos një markë e tij. Ndërkaq, futbollisti vendosi të largojë të gjitha dyshimet e ngritura në rrjetet sociale duke postuar një Story në Instagra,m me foton e festimit të tij të shoqëruar me emojin e topit të zi me numrin 8. Më pas futbollisti e bëri llogarinë e tij private, një veprim që mund të ketë ardhur për shkak të urrejtjes së marrë për shkak të festimit të tij të keqkuptuar.